Sulm me thika para ambasadës izraelite në Beograd, policia vret sulmuesin
Një i mitur nga Shabaci ka sulmuar me dy thika një pjesëtar të xhandarmërisë serbe, para ambasadës së Izraelit në Beograd.
Sulmi ndodhi rreth 15 minuta pas mesnatës. Polici reagoi në vetëmbrojtje dhe e vrau sulmuesin, ndërsa vetë pësoi një lëndim në fytyrë.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi se sulmuesi dyshohet të ketë qenë përkrahës i organizatës terroriste ISIS dhe se shërbimet e sigurisë e kishin ndjekur për shkak të publikimeve në rrjetet sociale.
Pas incidentit, në të gjithë Serbinë u shpall niveli më i lartë i gatishmërisë kundër terrorizmit. Policia ka shtuar sigurinë në objektet diplomatike, qendrat tregtare, stacionet dhe aeroportet.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.

