MaqedoniTop Lajme

Komisioni i Venecias: Më 11 dhe 12 dhjetor miratohet mendimi për jurisprudencën

Shpërndaje

Komisioni i Venecias pritet që në seancën e 11 dhe 12 dhjetorit ta shqyrtojë mendimin për ndryshimin e ligjit për provimin e jurisprudencës, i cili parashikon që teoria të jepet në shqip, ndërsa praktika në maqedonisht. Në një përgjigje për Alsat, nga Komisioni i Venecias theksojnë se në po të njëjtën seancë, e cila do të jetë e fundit për këtë vit, pritet që të miratohet mendimi.

“Me një letër të datës 10 nëntor 2026, ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, z. Jeton Shasivari, i ka kërkuar Komisionit të Venecias pranë Këshillit të Evropës të japë një mendim lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Provimin e Jurisprudencës. Mendimi pritet të shqyrtohet dhe të miratohet në seancën e 149-të plenare të Komisionit të Venecias, e cila do të mbahet në Venedik, më 11 dhe 12 dhjetor 2026”, thonë nga Komisioni i Venecias.

Lidhur me këtë çështje, nesër dhe pasnesër do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Shkup një delegacion katër anëtarësh prej Komisionit të Venecias, të cilët do të zhvillojnë takime intensive. Delegacioni do të mbajë takime të veçanta me ministrin e Drejtësisë, përfshirë anëtarët e Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, si dhe me përfaqësues të shumicës parlamentare dhe opozitës. Krahas tyre, ata do të takohen edhe me studentët e fakulteteve të drejtësisë, por edhe dekanët, për të diskutuar pikëpamjet e tyre për modelin e ri të provimit të jurisprudencës. Pjesë e agjendës janë edhe përfaqësuesit e Gjykatës Kushtetuese, Këshillit Gjyqësor, Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë, Odës së Avokatëve, por edhe krerët e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve dhe Institutit të Gjuhës Maqedonase “Kërste Misirkov”, Avokatin e Popullit dhe Komisionin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Pas diskutimeve me palët, Komisioni do të vijojë me procedurat për përgatitjen e mendimit.

Modeli i promovuar nga Ministria e Drejtësisë teoria në shqip e praktika në maqedonisht, nuk është i pranueshëm për studentët, të cilët kërkojnë që provimi të jepet tërësisht në shqip, pasi kështu e parasheh Kushtetuta dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve. Këtë model nuk e mbështet as opozita, e cila ka paralajmëruar se do ta bllokojë në Kuvend. Nga ana tjetër, Qeveria thotë se nuk mund të realizohet kjo kërkesë, për shkak se sipas tyre e vetmja gjuhë zyrtare në gjykatë është maqedonishtja. /Alsat.mk