Shaip Kamberi deputet në kuvendin serb, Ziadin Sela e uron: Do të na keni në krah jo vetëm me zemër, por me gjithçka
Kryetari i ASH-së, Zadin Sela, ka uruar Shaip Kamberin, pasi mbrëmjen e djeshme u zgjodh deputet në Kuvendin e Serbisë.
Përmes një postimi në “Facebook”, Sela rithekson dhe njëherë fjalët e tij ku dy ditë më parë u shpreh se shqiptarit nuk i ka hije dorëzimi.
Gjithashtu Sela i ka ofruar mbështetjen e plotë Kamberit.
“Urime vëllezër e motra të Luginës!
Sytë e çdo shqiptari dje ishin të kthyera kah ju, sepse në Tërnoc dje u sfidua rezistenca shqiptare, uniteti kombëtar, trimëria e guximi dhe vendosmëria e një populli që e do lirinë dhe drejtësinë. Në thirrjen paraprake pa asnjë hamendje shkruajta fjalët se “shqiptarit nuk i ka hije dorëzimi”, sepse isha i bindur se ju më së miri këtë do ta konfirmoni. Dje dëshmuat se nuk ka regjim, aparat shtetëror e diktaturë që mund të ju sfidojë.
Urime të përzemërta edhe për mikun tim Shaip Kamberi, deputetin dhe zërin e fuqishëm të shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë. Do të na keni në krah jo vetëm me zemër, por me gjithçka që do të kemi në mundësitë tona. Ju priftë e mbara dhe suksese në sfidat dhe fitoret e tjera!”, shkruan Sela./