Bota

OKB-ja thotë se nxehtësia ekstreme do ta kërcënojë njerëzimin: Asnjë komb s’është imun

Shpërndaje

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, lëshoi ënjë paralajmërim ogurzi të hënën, duke thënë se njerëzimi përballet me “vetëvrasje kolektive” nga ndikimi i ngjarjeve ekstreme klimatike, duke përfshirë zjarret dhe valët e të nxehtit, që aktualisht po bëjnë kërdi në mbarë botën.

Deklarata e Guterres erdhi pasi Britania shpalli një emergjencë kombëtare duke u përgatitur për ditën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, me temperatura që mund të rriten deri në 41 gradë, sipas Evening Standard.

“Gjysma e njerëzimit është në zonën e rrezikut, nga përmbytjet, thatësira, stuhitë ekstreme dhe zjarret”, tha Guterres, sipas The Guardian.

“Asnjë komb nuk është imun. Megjithatë ne vazhdojmë të ushqejmë varësinë tonë nga karburantet fosile. Ne kemi një zgjedhje. Veprim kolektiv ose vetëvrasje kolektive. Është në duart tona”, tha ai.

Guterres i bëri këto komente për përfaqësuesit nga 40 vende, që takohen në Berlin këtë javë, për të diskutuar krizën klimatike dhe çështje të tjera urgjente botërore.