Kurti: Reciprociteti për dokumentet dhe targat serbe, në respektim të ligjit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vendimi i Qeverisë që ai udhëheq që kërkon që të gjithë personat që kanë dokumente identifikimi të lëshuara nga Serbia të pajisen me dokumentin për hyrje-dalje, që do të lëshohet nga Kosova, është mënyrë për të mbrojtur serbët nga veprimet diskriminuese, transmeton REL.
Më 1 gusht, përveç lëshimit të të ashtuquajturit dokument për hyrje-dalje do të nisë edhe riregjistrimi i makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia.
Kurti, përmes një video-mesazhi në gjuhën serbe, tha se vendimi i 29 qershorit i Qeverisë së Kosovës, nuk duhet të shihet ndryshe përmes si “përgjigje ndaj shkeljeve të të drejtave, të drejtave tuaj, si nënshtetas të Republikës së Kosovës”.
“Kjo që po fillojmë ne tani më 1 gusht, Serbia ka filluar ta zbatojë para 11 vjetësh. Ne do të jemi në dispozicion duke dëshmuar që çdo veprim i yni është vetëm respektimi i ligjit i cili si i tillë, trajton secilin dhe të gjithë njësoj”, tha Kurti.
Ekzekutivi kosovar më herët ka njoftuar se dokumenti për hyrje-dalje do të lëshohet në të gjitha pikatkalimet tokësore dhe ajrore dhe do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.
Me këtë dokument do të pajisen edhe personat nën 16 vjeç që nuk kanë dokument identifikimi, por që duhet të kenë certifikatë të lindjes.
Ndërkaq, sa i përket riregjistirmit të makinave, të gjithë pronarët e makinave me targa me emrat e qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia, mund t’i regjistrojnë me RKS (Republika e Kosovës). Targat me akronime të qyteteve të Kosovës konsiderohen të paligjshme në Kosovë.
Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kanë arritur një marrëveshje për këtë çështje, por e njëjta nuk është zbatuar asnjëherë në përpikëri.