Historike, Luiza Gega kampione evropiane
Një prej sukseseve më të mëdha sportive të Shqiërisë është arritur të shtunën mbrëma. Është atletja Luiza Gega që ka fituar medaljen e artë në Kampionatin Evropian që po mbahet në Munih të Gjermanisë. Gega është kampione evropiane në vrapimin 3000 metra me pengesa.
Është ky suksesi më i madh në karrierën e 33-vjeçares e po ashtu i atletikës shqiptare në përgjithësi. Gega ka arritur në finish për 9 minuta, 11 sekonda e 31 të qindëtat. Ajo ka vendosur rekord të kampionatit evropian. Medalja e argjendtë i ka takuar gjermanes Lea Meyer, ndërsa të bronztën e fitoi britanikja Elizabeth Bird.
Ka kohë që Gega shquhet me rezultate të mira në skenën ndërkombëtare. Por të shtunën mbrëma ka shfaqur gjithë potencialin, duke i siguruar Shqipërisë medalje të rrallë të artë nga Evropiani.