Apeli e shpalli vendimin për rastin “Monstra”
Gjykata e Apelit në Shkup për Portalb.mk, konfirmoi se vendimi për rastin “Monstra” është shpallur dhe sipas të njëjtit, janë hedhur poshtë ankesat e të akuzuarve dhe njëkohësisht është miratuar vendimi i shkallës së parë, gjegjësisht Gjykatës Penale të Shkupit, njofton Portalb.mk.
“Vendimi është shpallur, janë hedhur poshtë ankesat e të akuzuarve dhe është konfirmuar aktgjykimi i shkallës së parë”, thonë për Portalb.mk nga Gjykata e Apelit.
Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, i shqiptuar më 23 shkurt 2021, për rastin “Monstra”, gjegjësisht vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, ashtu siç propozoi Prokuroria u shpallën fajtorë gjithsej 5 persona. Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq (të cilët janë në arrati në Kosovë) bashkë me Agim Ismailloviqin, u dënuan me burgim të përjetshëm për veprën “terrorizëm”, Fejzi Aziri u dënua me 15 vjet burg për “ndihmë”, ndërkaq Haki Aziri u dënua me 9 vjet burg, gjithashtu për ndihmë. I akuzuari Sami Luta u shpall i pafajshëm, pasi që Prokuroria e tërhoqi akuzën në mungesë të provave. Mbrojtja e kundërshtoi vendimin.
Nën organizim të familjarëve të të dënuarve, më 26 shkurt 2021 u mbajtën protesta në Shkup. Protesta filloi në Çair dhe destinacion kishte Qeverinë, por Policia vendosi disa kordonë policorë te Q.T. Mavrovasja për t’i ndaluar protestuesit për dhe reagim nga disa prej protestuesve të cilët i gjuajtën forcat policore me gurë dhe gjësende. Nga përleshja u lënduan njëmbëdhjetë policë dhe u sulmua ekipi i gazetarëve të MIA-s.
Për këtë, janë arrestuar 12 protestues, a për 5 persona është shqiptuar paraburgim. Paraprakisht më 29 janar të vitit 2021, pasi Prokuroria i dha fjalë përfundimtare dhe kërkoi të shpallen fajtorë të akuzuarit, familjarët dolën në protestë kundër prokurores Fatime Fetai.