Rajoni

Kurti: Bislimi është në Bruksel për targat, për planin franko-gjerman të diskutojmë “një orë e më parë”

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi është në Bruksel për targat.

Ai në një konferencë për medie, ka deklaruar se Bislimi është atje pasi do të takohet me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, dhe përfaqësuesin e Serbisë për dialogun, Petar Petkoviq, raporton Ekonomia Online.

Kurti shtoi se Kosova është e gatshme të diskutojë “një orë e më parë” për propozimin franko-gjerman.

Sipas tij, shtyrja e zbatimit të fazës së dytë të vendimit për targat ndërlidhet me mundësinë e arritjes së një marrëveshje në dialogun në Bruksel.

“Dje e kemi shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për targat dhe e kemi bërë këtë për t’i dhënë mundësi arritjes së një marrëveshje që ishte afër të ndodhte në Bruksel”, tha Kurti.

“Nuk është koha për ambicie të vogla, por është koha e hapave të mëdhenj. Prandaj, ne jemi të gatshëm që propozimi i Bashkimit Evropian, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të vendoset në tryezë një orë e më parë”.