Autostradat e Behtell-Enka pa mbikëqyrës, drejtori i N.P. për Rrugë Shtetërore nuk përgjigjet
Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore as sot nuk gjeti kohë t’i përgjigjet pyetjeve të televizionit Alsat se përse është vonuar përzgjedhja e kompanisë mbikëqyrëse për punimet e ndërtimit të konsorciumit amerikano-turk “Behtell & Enka”. Sipas ministrit të Transportit, afati ka qenë 40 ditë nga hapja e ofertave ndërsa deri më sot kanë kaluar 45 ditë. Shërbimi për marrëdhënie me publikun i kësaj kompanie publike na njoftoi se drejtori Rustemi nuk do të komentojë për këtë rast deri në përfundim të procedurës.
“Derisa vazhdon procesi i kontrollit administrativ të kompanive që kanë marrë pjesë në tender, detaje nuk do të bëhen të ditura. Mund të ndikojë në gjithë procesin e zgjedhjes së ofertës më të mirë”, njoftojnë nga NP për Rrugë Shtetërore.
Ofertat u hapën më 25 tetor ku tre kompani konkurruan për mbikëqyrjen e “Behtell & Enka” gjatë ndërtimit të autostradave Prilep deri në Manastir, si dhe Tetovë – Gostivar – Bukojçan dhe Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë. Bëhet fjalë për Egis Internacional, IRG Inzhinering dhe Hill Internacional. Ofertat e tyre në tender sillen nga 18 deri në 25 milionë euro.
“Zgjedhja e kompanisë për mbikëqyrje është kusht për fillimin e punimeve të ndërtimit, të cilat assesi të fillojnë, edhe pse kanë kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga vendimi ligjor për zgjedhjen e Behtel & Enka, si kompani që do të ndërtojë më shumë seksione të autostradës”, raporton Ile Petrevski- gazetar.
Ky është tenderi i dytë me të cilin kërkohet mbikëqyrja e këtyre autostradave. Herën e parë tenderi dështoi pasi kompania kroate që e fitoi punën nuk ofroi garanci bankare. Komisioni kundër korrupsionit edhe pas shpalljes së emrit të “Behtell Enka”, vlerësoi se kjo mënyrë e zgjedhjes së kompanisë pa tender gjegjësisht përmes ligjit në Kuvend, bart rrezik të lartë korrupsioni. Vitin e kaluar ky komision e kundërshtoi ligjin në Gjykatën Kushtetuese, por gjykata e hodhi poshtë këtë nismë. Në të njëjtën mënyrë, pa tender, Qeveria e Gruevskit biznesin për ndërtimin e autostradave Kërçovë-Ohër dhe Shkup-Shtip ia dha kompanisë kineze Sinohidro. Pastaj Prokuroria Speciale e Katica Janevës ngriti kallëzim penal ku kishte edhe procese gjyqësore. /Alsat.mk