BotaTop Lajme

New York, protestohet kundër djegies së Kuranit në Suedi (Video)

Shpërndaje

Komuniteti turk u mblodh në qytetin e New York-ut në SHBA për të protestuar kundër djegies së Kuranit para Ambasadës së Türkiye-s në Stokholm, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vazhdojnë reagimet ndaj politikanit të ekstremit të djathtë Rasmus Paludan që dogji një kopje të Kuranit përpara ambasadës turke në Stokholm.

Në organizimin e Presidencës Rajonale të Bashkimit Ndërkombëtar të Demokratëve (UID) të SHBA-së, përveç komunitetit turk, me mbështetjen edhe të qytetarëve arabë dhe asirianë, para konsullatës suedeze në New York u protestua kundër aktit të djegies së Kuranit.

Muslimanët u mblodhën para Shtëpisë Turke të New York-ut dhe marshuan drejt Konsullatës së Përgjithshme të Suedisë një rrugë më tutje, ndërsa deklaratat për shtyp u lexuan turqisht dhe anglisht.

Kryetari i UID-së, Levent Ali Yıldız, në protestën e mbajtur me moton “Jo urrejtjes, po për paqen dhe vëllazërinë”, tha: “Djegia e librit tonë të shenjtë, Kuranit, nga një politikan racist me shtetësi të dyfishtë të Suedisë dhe Danimarkës dhe kërcënimi ndaj muslimanëve për minuta të tëra, është një vandalizëm dhe krim i dukshëm urrejtjeje që nuk mund të shpjegohet me lirinë e mendimit dhe shprehjes”.

Ai theksoi se Kurani do të mbrohet nga Allahu deri në Ditën e Gjykimit, por shtoi se “kur libri ynë i shenjtë dhe besimi të sulmohen, ne nuk do të heshtim dhe nuk do të rrijmë të strukur”. Ai gjithashtu deklaroi se do të tregojnë të njëjtin reagim ndaj krimeve të urrejtjes ndaj besimeve të tjera.

Protestuesit u bënë thirrje të gjitha autoriteteve, veçanërisht qeverisë suedeze, të jenë më të ndjeshme ndaj krimeve të urrejtjes dhe islamofobisë.

Protestuesit u dhanë karafila amerikanëve të mbledhur, duke shpërndarë njoftime për shtyp në gjuhën angleze.