Lajçak pas takimit me kryeministrin Kurti: U dakorduam për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara Kosovë-Serbi
I dërguari special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me kryenegociatorin e palës kosovare në dialog, Besnik Bislimin, kanë rënë dakord që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e kaluara Kosovë-Serbi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Lajçak, i cili mbrëmë u prit nga Kurti dhe Bislimi në një darkë pune, njoftoi në rrjetet sociale se me ta pati “diskutime të hapura dhe intensive”.
“U ktheva në Kosovë sot për t’i vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me kryeministrin Albin Kurti dhe zv/kryeministrin Bisnik Bislimin, për hapat e radhës dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu ramë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut të zbatohen plotësisht”, shkroi Lajçak.
Vizita e Lajçak në Kosovë vjen disa ditë pas vizitës së tij bashkë me përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Gjermania, Franca dhe Italia, në kuadër të përpjekjeve për të arritur deri te një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë.