RajoniTop Lajme

Rama mbi takimin në Ohër: Urojmë që marrëveshja të kthehet në një realitet të ri

Shpërndaje

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar mbi bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë në takimin e nivelit të lartë të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që u mbajt në Ohër, transmeton Anadolu.

Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Rama shkruan se “Le të shpresojmë që djalli të mos fshihet në detaje dhe që marrëveshja e rënë dakord por e pa nënshkruar të mos jetë një tjetër mashtrim ballkanik”.

“Përndryshe kjo do të ishte një arritje historike që do të shpallte një pranverë të shumëpritur në marrëdhëniet mes dy kombeve më të mëdha të Ballkanit. Dhe le t’i urojmë sinqerisht katër protagonistët e tryezës së Ohrit, duke uruar që së shpejti marrëveshja e panënshkruar të kthehet në një realitet të ri të pakthyeshëm mes Kosovës dhe Serbisë, shqiptarëve dhe serbëve, Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian”, shkruan Rama.

Në Ohër të Maqedonisë së Veriut u mbajt më 18 mars takimi i nivelit të lartë i dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit i udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE).

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në konferencën për mediat pas takimeve, tha se “Ajo çfarë palët kanë pranuar, që nënkupton marrëveshjen dhe zbatimin e saj përmes aneksit, do të bëhet pjesë përbërëse e rrugës së tyre drejt Bashkimit Evropian”.