RajoniTop Lajme

Kurti vizitoi familjet e tre policëve të rrëmbyer nga Serbia

Shpërndaje

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka vizituar familjarët e Beqir Sefës, Rifat Zekës dhe Shemë Mustafës, tre policëve të Kosovës të rrëmbyer dje nga forcat serbe në kufi me Serbinë e në brendi të territorit të Republikës së Kosovës., njofton Zyra e Kryeministrit.

Bëhet e ditur se në Mitrovicë, Kryeministri u mirëprit nga familjarët e Shemë Mustafës, përfshirë të vëllanë e tij që ishte po ashtu polic kufitar.

“Familjaret vlerësuan përkrahjen nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe nga populli, që po ua lehtëson barrën.Në fshatin Peran të Komunës së Podujevës, ai u prit nga familjarët e Beqir Sefës, në mesin të cilëve ishte dhe djali i tij, që po ashtu është pjesëtar i Policisë së Kosovës në Prishtinë dhe i angazhuar në Task Forcën për veri. Kryeministri i njoftoi familjarët se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është në kontakt me institucionet atje, në përpjekje për të marrë sa më parë dhe sa më shumë informacione për gjendjen e policëve të rrëmbyer. Ata e falënderuan kryeministrin për vizitën, si dhe për qëndresën e tij.Në fshatin Letanc të Komunës së Podujevës, kryeministri Kurti pastaj vazhdoi me vizitën te familja e Rifat Zekës. Ai shprehu mbështetjen dhe solidaritetin me familjen. “, bëhet e ditur në njoftim.

Më tej në komunikatë njoftohet se kryeministri ritheksoi se Republika e Kosovës është në të drejtën e saj dhe se dëshmitë që posedojnë institucionet e vendit dokumentojnë se zyrtarët e Policisë së Kosovës ishin brenda territorit të Republikës. Policët ishin në nivel detyre, në luftim të kontrabandës, në atë pjesë ku më herët janë mbyllur 16 rrugë ilegale.

“Familjarët u shprehën falënderues për vizitën dhe kujdesin e treguar, dhe theksuan besimin e plotë në institucionet e Republikës së Kosovës.”, thuhet në njoftim

Policët e Kosovës u kidnapuan të mërkurën nga Serbia. Kurti sot në një konferencë për media njoftoi se ata janë kidnapuar brenda territorit të Kosovës.

“Pra nuk bëhet fjalë për arrestim në Serbi por bëhet fjalë për kidnapim në Kosovë…. Nuk bëhet fjalë për kalimi të policisë përtej kufirit të Serbisë si pretendohet, andaj as përtej rrugës së prerë.”, tha Kurti./21Media