RajoniTop Lajme

Kurti pas takimit me emisarët: Pas 24 shtatorit siguria e kufijve të Kosovës është prioritet

Shpërndaje

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka shkruar lidhur me takimin që ka pasur sot me pesë emisarët për dialogun Kosovë-Serbi.

Kurti në një postim në platformën X shkruan se në takimin me emisarët ka potencuar se pas sulmit terrorist siguria e kufirit të Kosovës është prioritet.

“Kam mirëpritur sot emisarët nga BE-ja, SHBA-ja, Gjermania, Franca e Italia. Pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, me sponsorizimin dhe pjesëmarrjen e Serbisë – siguria e kufirit tonë ka përparësi. Në dialog nevojitet një qasje e re”, shkruan Kurti.

Kryeministri thekson se pesëshja e emisarëve ka prezantuar planin e tyre të ri për të ecur para.

“Falënderoj dhe vlerësoj 5 emisarët për planin e tyre të ri për të ecur përpara”, tha Kurti.

Ndryshe, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak në një deklaratë për media pas takimit me Kurtin tha se BE-ja e ka një plan se si të vazhdohet me procesin e dialogut.

“Gjithmonë kemi një plan, pra po kemi një plan. E kemi diskutuar me kryeministrin Kurti dhe do ta diskutojmë me presidentin Vuçiq. Nuk mund të hyjë në hollësi në këtë moment. Nuk ka alternativë ndaj dialogut sepse dialogu sjell normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe hap shtegun e BE-së për të dyja vendet”, është shprehur Lajçak.

Ai ka përsëritur se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet sa më shpejt.

Kryeministri Kurti priti në takim emisarët Lajçak e Escobar dhe këshilltarët e liderëve shtetërorë të Gjermanisë, Francës e Italisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, priti në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, z. Jens Plötner dhe z. Emmanuel Bonne, si dhe zëvendës këshilltarin diplomatik të Kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, Alessandro Cattaneo.

Kryeministri i falënderoi për vizitën e përbashkët. Ai theksoi që prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Republikën e Kosovës është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit. Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje.

Në takim u bisedua për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars). Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re. Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht.