Erdogan trondit Europën, krijon parti në Gjermani dhe fton myslimanët t’i bashkohen
Me një lëvizje politike surprizuese, presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, ka shokuar europianët, teksa ka krijuar një parti politike në Gjermani, e cila ka në thelb të programit të saj luftën kundër racizmit mysliman.
Partia e re, e cila pritet të garojë në zgjedhjet europiane të qershorit, do të quhet Aleanca Demokratike për Diversitet dhe Zgjim (DAVA) dhe është krijuar zyrtarisht më 7 janar.
Partia është një degë e partisë AKP, që drejtohet nga lideri turk dhe synon të fitojë besimin e mbi 1.5 milionë turqve me të drejtë vote në Gjermani, por edhe shtetasve të tjerë më origjinë të huaj.
Partia e re pritet të drejtohet nga Teyfik Özcan, i cili ka këmbëngulur se financat e partisë do të sigurohen të gjitha nga brenda vendit, në zbatim të plotë të ligjit elektoral, pasi në Gjermani është e paligjshme të marrësh fonde nga vendet e huaja.
Krijimi i DAVA-s ka shkaktuar reagime dhe shqetësime në Berlin. I pari që ka reaguar kundër është Cem Özdemir, ministri gjerman i Bujqësisë, i cili ka prejardhje turke.
Ai shkroi në platformën X: “Një degë e Erdoganit që kandidon në zgjedhje këtu, është gjëja e fundit që na duhet”.
Edhe nënkryetari i partisë më të madhe opozitare konservatore Kristian Demokrate (CDU), Jens Spahn, kritikoi këtë nismë të Erdogan. Ai shkroi në rrjetet sociale: “Një degëzim Erdogan-AKP në Gjermani do të ishte një tjetër parti ekstreme në vend”.
Ndërkohë, kandidatja kryesore liberale gjermane Marie-Agnes Strack-Zimmermann kur u pyet për DAVA-n tha për Die Welt: “Aktualisht po shohim partitë që shfaqen kudo dhe qëllimi dhe ushtrimi i tyre i vetëm është që përfundimisht ta copëtojnë Evropën nga brenda”.