Ademi: Kuvendi sapo miratoi propozim-Ligjin për plotësimin e Ligjit për arsimin e lartë
Koordinatori dhe deputeti i BDI-së, Arbër Ademi në rrjetin social facebook shkruan se Kuvendi i RMV-së, sapo miratoi propozim-Ligjin për plotësimin e Ligjit për arsimin e lartë.
”Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut sapo miratoi propozim-Ligjin për plotësimin e Ligjit për arsimin e lartë, me çka do të rregullohet koeficienti i pagesës së pagës për punonjësit në institucionet e arsimit të lartë publik nga llogaria e buxhetit, përfshirë profesorët, personelin jomësimdhënës dhe personelin teknikë. Falenderoj të gjithë deputetët që votuan për miratimin e këtij Ligji i cili përjashton çdo mundësi të diskriminimit ndaj ndonjë universiteti publik” – shkruan Arbër Ademi.
Rritja e koeficientit të pagave në arsimin e lartë përfshin profesorët, këshilltarët shkencor, lektorët, asistentët dhe të punësuarit në administratën e universiteteve. Ligji u votua nga 88 deputetë, përfshirë edhe opozitën.