Sela e Hoxha të pakënaqur nga oferta e BDI-së, shqyrtojnë mundësinë të garojnë jashtë Frontit Evropian
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, si nismëtar i idesë për një Front Evropian mes partive shqiptare, sot nisi ta bëjë realitet këtë plan, duke nënshkruar marrëveshje me kryetarin e Lëvizjes Populli Skender Rexhepi – Zejd. Pas nënshkrimit, Ahmeti u shpreh se tanimë një kohë të gjatë kanë filluar bisedimet për bashkëpunim edhe me partitë e tjera, si ASH-në e Ziadin Selës, PDSH-në e Menduh Thaçit dhe PDE-në e Arjanit Hoxhës dhe me partitë turke, boshnjake e rome, por pasdite u morr vesh se kanë nisur pakënaqësitë në dy subjekte.
Burime të TV21 tregojnë se ka pakënaqësi tek ASH-ja e Selës dhe PDE-ja e Hoxhës rreth ofertës së integristëve për deputetët dhe pozitat. Mësohet se BDI i ka ofruar Selës 3 deputetë, gjersa ai kërkon 5 mandate. Pakënaqësi ka edhe tek PDE-ja e Arjanit Hoxhës. Burimet e TV21 informojnë se Hoxhës i janë ofruar pozita jofituese në listën zgjedhore të njësisë 6, ndërsa në njësinë 2 është propozuar që Basri Bajrami të lihet i 5-ti në renditje të listës. Sipas asaj që kanë biseduar, mësohet se është folur që Ziadin Sela të jetë pjesë e listës zgjedhore në zonën 6, Krenar Lloga në zonën 5 dhe Arjanit Hoxha në njësinë 2.
Për këto, TV21 kontaktoi të dyja partitë. Naim Bajrami, aktualisht ministër dhe zëdhënës i ASH-së, na tha se opinoni tashmë është i njoftuar se kanë një vendim të mëhershëm, por se a do të ketë vendim tjetër ditëve në vazhdim, sipas tij, ngelet për t’u diskutuar në organet partiake. Nga ana tjetër, kryetari i PDE-së Arjanit Hoxha, ishte i shkurtë në përgjigje: “Në politikë gjithçka është e mundur”, na shkroi ai.
Kujtojmë se ASH-ja e Selës deri më tani ka vetëm një vendim në lidhje me daljen në zgjedhje, e ai është që të dalin vetë, pa ndonjë koalicion, gjersa Sela më parë ka mohuar që të ketë ndonjë marrëveshje me integristët.