Osmani e Kurti zotohen për drejtësi për personat e zhdukur gjatë luftës
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti janë zotuar se nuk do të mungojë asnjëherë thirrja për drejtësi për personat e zhdukur gjatë luftës, gjatë vizitës në “Lëndinën e Pikëllimit”, në 25-vjetorin e masakrës së Mejës.
Osmani, masakrën e Mejës e quajti “Srebrenica e Kosovës”, duke thënë se nuk do rreshtin së kërkuari drejtësi.
“376 civilë të pafajshëm iu këputën ëndrrat në gjysmë vetëm pse ishin shqiptarë. 376 familje pa më të dashurit e tyre e gjithë Kosova në dhimbje të përhershme. Meja është testament i kësaj dhimbje e vazhdueshme në çdo shtëpi të Kosovës. ‘Lëndina e Pikëllimit’ është vendi i së vërtetës sonë, rrëfimi i trishtë i 376 fateve njerëzore, Srebrenica e Kosovës”, ka thënë Osmani.
Kurti ka thënë se për shqiptarët stina e pranverës është stinë përkujtimore.
“Sivjet po bëhen 25 vjet kur lufta e arriti kulmin para se të përfundonte në qershor të atij viti. Viti 1999 ishte stinë e vrasjes në kuadër të stilit gjenocidal, andaj pranvera për ne është stinë përkujtimore. Në histori masakra në Mejë e Korenicë është më e madhja. Atë ditë u vranë 376 civilë të pafajshëm, në mesin e tyre nxënës e arsimtarë. Këtu i kemi varret e civilëve myslimanë e katolikë. Ju e keni të freskët mëngjesin e atij viti kur forcat paramilitare e ushtarake të Serbisë, i dëbuan civilët nga fshatrat e Gjakovës. Të dëbuarit i drejtuan nga Meja ku i plaçkitën dhe gratë e fëmijët i drejtuan për në Shqipëri, ndërsa burrat e djem të rinj u vranë në fshatin Mejë”, ka deklaruar Kurti.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se edhe pas 25 vjet pas luftës, Kosova vazhdon të jetë në luftë të ashpër me Serbinë.
Në Kosovë më 27 prill shënohet Dita Kombëtare e të Zhdukurve me Forcë gjatë luftës. Rreth 6,000 njerëz u zhdukën gjatë luftës së fundit, prej të cilëve mbi 1.600 janë ende të pagjetur.