RajoniTop Lajme

Kurti i përgjigjet Aliut: Unë flas edhe se kush duhet të mbështetët në BE dhe ShBA, e lëre më në Ulqin e Preshevë

Shpërndaje

Kryeministri Albin Kurti i është përgjigjur ministrit të Infrastrukturës, bashkëpartiakut të tij Liburn Aliu, i cili ka thënë se Qeveria e Kosovës dhe kreu i saj kanë bërë gabim që e kanë mbështetur publikisht Partinë për Veprim Demokratik në zgjedhjet në Luginën e Preshevës.

Kurti ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje i merr vendimet në organet e veta, ndërsa ia ka kujtuar Aliut se ai flet se kush duhet mbështetur edhe në BE e ShBA, “e lëre më në Ulqin e Preshevë”.

“Lëvizja Vetëvendosje e ka qëndrimin e qartë dhe i merr vendimet në organet e veta. Ne e kemi mbështetur edhe Shaip Kamberin në zgjedhjet parlamentare. Aty nuk ka qenë vetëm një bllok, kanë qenë dy blloqe, dhe ne jemi përcaktuar për ta mbështetur aso kohe bllokun të cilit i ka prirë Shaip Kamberi”, ka thënë Kurti para gazetarëve, kur iu kërkua koment për deklaratën e Aliut.

“Unë jam kryeministër i Republikës, por njëkohësisht edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Ju e dini që unë flas publikisht se kush duhet mbështetur edhe në Bashkimin Evropian e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e lëre më në Ulqin e Preshevë”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se të gjitha partitë në Kosovë dhe Shqipëri mbështesin parti të caktuara jashtë vendit.

“Duhet theksuar se të gjitha partitë në Kosovë dhe në Shqipëri, në një mënyrë a një tjetër, kush më shumë e kush më pak, mbështesin parti të caktuara, por unë e bëj këtë hapur”, ka thënë Kurti.

Më tutje, Kurti ka thënë se beson se kjo që ai bën “është shumë mirë”, ndërsa ia ka uruar fitoren në Preshevë, këshilltares së tij, Ardita Sinanit.

“Dhe jam i kënaqur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si rezultat i partive politike shqiptare, me ç’rast, në Preshevë, konkretisht, ia uroj fitoren Ardita Sinanit”, ka thënë Kurti.

Liburn Aliu, ka thënë mbrëmë se ishte gabim animi i Qeverisë së Kosovës për një parti politike për zgjedhjet në Luginë të Preshevës, duke përmendur faktin se vetë vjen nga Lugina.

“Pavarësisht orientimit dhe simpatisë personale, po mendoj se kjo ka qenë gabim dhe veprim i gabueshëm”, ka thënë ai.

Aliu ka thënë se Kurti ka bërë gabim edhe me pjesëmarrjen e tij në një tubim elektoral të PVD-së në Prishtinë javën e kaluar, pasi ka theksuar se kreu i ekzekutivit duhej të ishte përbashkues.

“Ky ka qenë gabim dhe ky duhet të rregullohet sa më parë”, ka thënë Aliu.