RajoniTop Lajme

Eskalon Vuçiq: ‘Kapet’ me presidentin e Malit të Zi për pavarësinë e Kosovës

Shpërndaje

Në Pragë është duke u mbajtur Forumi i Sigurisë GLOBSEC 2024. Në të po marrin pjesë përfaqësues të 70 shteteve.

Në panelin me temën “Bashkimi i Ballkanit Perëndimor me BE-në”, pjesëmarrës ishin presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Mirëpo, dy homologët nuk gjetën mirëkuptim për çështjet, për të cilat u debatua. E, Vuçiq nuk e la pa e kritikuar presidentin malazez, pse shteti i tij e ka njohur Kosovën.

“Mendoj se publiku mund të shohë se sa shumë nuk pajtohemi unë dhe Aleksandri, dhe kjo është legjitime. Tani ekziston një zgjidhje e qartë se ku dëshironi të shkoni. Për Malin e Zi është e qartë, nuk e di nëse është e qartë edhe për Serbinë, por është legjitime të kesh qëndrim të paqartë për atë se ku duan të shkojnë. Mendoj se Serbia, si ekonomia më e madhe në rajon, është e rëndësishme. E dini se të gjithë flasim gjuhën e njëjtë”, tha presidenti i Malit të Zi.

Siç transmeton Klan Kosova, Milatoviq tha se Mali i Zi e ka harmonizuar politikën me BE-në sepse duan të jenë pjesë e saj.

“E kuptoj krejt çka flet Aleksandri, por do të ishte më e lehtë për të gjithë ne të kishim një optimist si president të Serbisë, në vend të pesimistit. Besoj se Mali i Zi mundet dhe dëshiron të bëhet pjesë e BE-së gjatë mandatit të Ursula von der Leyen. Ka një histori më të madhe se Mali i Zi dhe do të jetë një sinjal i madh për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, për vendet e fqinjësisë së Lindjes, dhe se do t’i ndihmojë pesimistët të bëhen optimistë, përfshirë Aleksandrin”, tha Milatoviq.

Presidenti serb Vuçiq nuk u pajtua me deklarimet e Milatoviqit.

Ai e kritikoi homologun e tij malazez për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Së pari, nuk është kaq e qartë dhe kaq e lehtë. Keni harruar të thoni diçka. Kur flasim për mesazhe të paqarta, këtë e kam thënë gjithmonë. Kam edhe sot një mesazh shumë të qartë në lidhje me rrugën e BE-së, por shumë nga rajoni, bashkë me të tjerë, kanë insistuar gjithmonë në porosi të paqarta sepse iu përshtatej tregimeve tuaja. Nuk do të ishit kaq të mirë sikur të mos kishte një Serbi të keqe”, tha Vuçiq.

“Kur keni folur për vendime të lehta, harruat të thoni, të përmendni 6 republika. E dini, kanë qenë 6 republika, por duke folur për Malin e Zi dhe për vende tjera Perëndimore, në ndërkohë ju morët një pjesë të një prej atyre republikave, që është Serbia, dhe njohët pavarësinë e Kosovës. Dhe kjo është bërë jo në pajtim të Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244 dhe është bërë kundër ligjit”.

Vuçiq u kthye mbrapa për 25 vite duke thënë se “sulmi [i NATO-s] ndaj Serbisë është bërë pa vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

“Ky është një dallim i vogël mes nesh, që nuk është aq i vogël. Që do të thotë se po, ne jemi në rrugën tonë të BE-së, dhe problemi më i madh për Serbinë është marrëdhënia jonë me Prishtinën. Është një çështje shumë e vështirë për ne. Përgjigja ime është, në rregull, disa njerëz mendojnë se ne duhet të gjejmë një mënyrë më të lehtë për të kënaqur dikë dhe të themi se ai është i mirë. Do të shohim më 2028 se kush do të ketë të drejtë, nëse unë jam pesimist apo ju optimist. Të gjithë ju këtu e dini se unë kam të drejtë, se asgjë nuk do të ndodhë deri në vitin 2030, dhe në 2030 do të kemi Ukrainën që do të jetë vendi i parë që do të hyjë. Mendoj se do të vijë deri në vitin 2030. Nuk jam negativ, jam realist. Pas kësaj, mendoj se do ta bëjnë Serbia, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut. Por pas hyrjes së Ukrainës në BE”, deklaroi Vuçiq.