Gazifikimi i Korçës, firmoset marrëveshja në Azerbajxhan! Rama: Dy marrëveshje në sektorin energjetik me Azerbajxhanin dhe Emiratet e Bashkuara
Kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u takuan sot me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.
Pas takimit, palët nënshkruan edhe memorandumin e bashkëpunimit mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Albgazit dhe kompanisë shtetërore të naftës në Azerbajxhan, SOCAR, për zhvillimin e infrastrukturës së gazifikimit të qytetit të Korçës.
Në një deklaratë nga Baku pas nënshkrimit të marrëveshjes, Balluku u shpreh se kjo marrëveshje synon gazifikimin e vendit që do të nisë nga qyteti i Korçës në vitin 2025.
“Sot në Azerbajxhan ku nënshkruam memorandumin e bashkëpunimit mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Albgazit dhe kompanisë shtetërore të naftës në Azerbajxhan, SOCAR, për zhvillimin e infrastrukturës së gazifikimit të qytetit të Korçës dhe marrëveshjen e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe gjigandit energjitik të Emirateve të Bashkuara, Masdar, për krijimin e kompanisë së përbashkët publike që do të investojë në Shqipëri e në rajon në mjediset e Samitit Botëror për Klimën, Cop 29.
Baku, Azerbajxhan – Pas nënshkrimit të marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara për krijimin e kompanisë së përbashkët publike të energjisë, u zhvillua takimi me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev ku nënshkruam memorandumin e bashkëpunimit mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Albgazit dhe kompanisë shtetërore të naftës në Azerbajxhan, SOCAR, për zhvillimin e infrastrukturës së gazifikimit të qytetit të Korçës, për të cilën janë kryer studimet paraprake e do të nisë puna për projektin e detajuar inxhinierik✍️”, shkruan RAMA.
“Këtu në Baku gjatë zhvillimeve të COP 29 ne patëm edhe një marrëveshje të re me qeverinë e Azerbajxhanit, për sa i përket gazifikimit të Korçës. Është një lajm shumë i mirë ky, i cili ka nisur dhe është ngjizur prej kohësh midis Albgazi-t të Shqipërisë dhe Socar-it të Azerbajxhanit, por tashmë po bëhet realitet”, tha Balluku.
“Baku, Azerbajxhan – Në mjediset COP29, u nënshkrua marrëveshja e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe gjigandit energjitik të Emirateve të Bashkuara, Masdar, për krijimin e kompanisë së përbashkët publike që do të investojë në Shqipëri e në rajon✍️”, shkruan Rama.
“Baku, Azerbajxhan – Mbrëmë me Presidentin e Emirateve të Bashkuara, Sheikh Muhammed Bin Zayed, një mik i rrallë dhe dashamirës i madh i Shqipërisë, me të cilin folëm për ecurinë e mirë të disa projekteve të rëndësishme që po hyjnë në fazën e zbatimit, nga krijimi i kompanive të përbashkëta publike të prodhimit të energjisë (KESH-Masdar) dhe shtypshkrimit të letrave me vlerë, linja e interkonjeksionit me Italinë në partneritet tripalësh, e deri tek sistemi i ri digjital i kontrollit të trafikut; zhvillime tejet të rëndësishme për forcimin dhe modernizimin e sektorit publik në Shqipëri, po edhe një pasqyrë kuptimplotë e forcimit domethënës të marrëdhënieve me Emiratet e Bashkuara”, tha Rama.