RajoniTop Lajme

Gjermania nuk do t’i regjistrojë më kosovarët si shtetas të Serbisë

Shpërndaje

Për më shumë se 17 vjet qindra dhe mijëra qytetarë të Republikës së Kosovës të cilët jetojnë në Gjermani janë regjistruar me automatizëm në komuna të ndryshme gjermane si shtetas të Serbisë, por një gjë e tillë tashmë është rregulluar sipas Qeverisë së Kosovës, raporton Anadolu.

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, kryeministri Albin Kurti tha se është arritur zgjidhje me autoritetet përkatëse gjermane lidhur me çështjen e regjistrimit të shtetasve të Kosovës.

“Shumë prej kosovarëve janë detyruar të regjistrohen si shtetas serbë në dokumentacionet gjermane, gjë që nga sot nuk do të përsëritet më”, tha Kurti.

Kurti tha se Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës punoi me përkushtim për të negociuar dhe siguruar këtë “ndryshim të rëndësishëm dhe nevojshëm”.

“Falë angazhimit të tyre me Kancelarinë Federale të Gjermanisë dhe ministritë përkatëse, tani është miratuar një udhëzim që siguron që të gjithë qytetarët e Kosovës të regjistrohen vetëm si shtetas të Republikës së Kosovës. Ky ndryshim ka hyrë në fuqi në të gjitha landet gjermane dhe mbi 5.200 qendra të regjistrit civil”, theksoi Kurti.

Ai u bëri thirrje bashkatdhetarëve që jetojnë në Gjermani që të verifikojnë dhe sipas nevojës edhe të korrigjojnë regjistrimin e shtetësisë në dokumentet e tyre.

Gjermania llogaritet si një nga vendet ku jetojnë më së shumti kosovarë të cilët kanë emigruar atje në periudha të ndryshme para dhe pas luftës së Kosovës, të vitit 1998-1999.