VLEN përjashton Arben Taravarin, koalicioni vazhdon i bashkuar pa të (VIDEO)
Krerët e koalicionit VLEN kanë vendosur sot unanimisht që të vazhdojnë të garojnë të bashkuar në zgjedhjet e ardhshme, por pa Arben Taravarin. Ky vendim nënkupton përjashtimin e liderit të Aleancës Ypër Shqiptarët nga koalicioni.
Në deklaratën e tyre, tre liderët e mbetur bënë thirrje që simpatizuesit dhe anëtarët e ASH-së të distancohen nga veprimet e Taravarit dhe të qëndrojnë brenda koalicionit VLEN, duke theksuar se uniteti është thelbësor për të ardhmen politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Deklarata e plotë:
Tashmë nuk është e fshehtë, ngase koalicioni VLEN e ka vënë re qysh më parë, se ka negociata ndërmjet z. Taravari me z. Ahmeti, me përzierje të eksponentëve të caktuar nga oligarkia. Këto janë bisedime që janë zhvilluar tashmë disa muaj, qysh përpara se z. Taravari ta publikonte vendimin e tij në kundërshtim me pjesën tjetër të partnerëve të VLEN-it për mënyrën e garimit në zgjedhje. Është e qartë se këto negociata kanë pasur për qëllim përçarjen e Koalicionit të Ndryshimit dhe rikthimin nga vdekja klinike të BDI-së. Cili ishte çmimi i këtij operacioni dhe a ia vlejti, kjo do të merret vesh shumë shpejtë.
Sidoqoftë, Koalicioni i Ndryshimit VLEN vlerëson se vendimi i mbrëmshëm i z. Taravari, pasi që ishin konsumuar krejt argumentet dhe ofertat për ta mbajtur atë në garën e përbashkët zgjedhore, është pa mbështetjen e votuesve të sinqertë të ASH-së, por as të funksionarëve partiakë të cilët para më pak se një viti e mbështetën vendimin e drejtë të ASH-së për t’u shkëputur nga partia e listës së zezë, që tashmë po fundoset dhe po merr me vete edhe shumë viktima. BDI-ja nuk shpëton pavarësisht gomave rezervë që mund t’i hidhen nga eksponentë të ndryshëm politikë.
Koalicioni i Ndryshimit VLEN vlerëson se vendimi për të dalë në zgjedhje me lista të ndara për këshilltarë, kur ajo ishte një temë e absolvuar në VLEN, nuk është i bazuar as në qëndrimet e bazës, as në opinionet e votuesit të ASH-së, e as në sondazhe të paanshme. Ky është një vendim i marrë për interesa të të BDI-së, të cilat publiku do t’i kuptojë shumë shpejt dhe për të cilat z. Taravari do të duhet të japë shpjegime përpara shqiptarëve, por edhe para votuesve të VLEN-it.
Pavarësisht kësaj, Koаlicioni VLEN sot ka vendosur që të garojë në zgjedhje bashkë edhe me lista për këshilltarë edhe me kandidatë për kryetarë komunash, ndërsa në ditët në vijim do të kemi edhe themelim të shtabeve të VLEN-it për të garuar bashkërisht në zgjedhjet e ardhshme lokale. Në ditët në vijim do t’ju informojmë edhe për riorganizimin politik të strukturës dhe për strategjinë e VLEN-it për zgjedhjet e ardhshme.
Me këtë rast u bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve, simpatizantëve, votuesve dhe funksionarëve të ASH-së që të distancohen nga politika e përçarjes e z. Taravari, e sponzorizuar nga BDI-ja dhe oligarkët e tjerë, dhe të qëndrojë në Koalicionin e Ndryshimit, sepse vjeshta sjellë një fitore të re dhe një skenë të re.
Shkup, 16.04.2025