Osmani: Vota juaj është arma juaj kundër kaosit dhe korrupsionit
Unë hyra në këtë betejë pa llogaritje, në anën e popullit të Çairit, në anën e fqinjëve dhe miqve të mi, për ta mbrojtur shtëpinë tonë dhe për të thënë mjaft është! Mjaft me kaos, mjaft me korrupsion, mjaft me 20 vite premtime të zbrazëta. Kështu deklaroi kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në konferencën e sotme për shtyp, e fundit në fushatën zgjedhore.
Osmani theksoi se Çairi meriton më shumë dhe se jeta në komunë nuk duhet të jetë një luftë me problemet e krijuara nga pushtetet e papërgjegjshme.
“Fëmijët tanë meritojnë më shumë. Secili prej nesh që jeton këtu e di se jeta në Çair është e vështirë, rrugë të bllokuara, plehra në çdo cep, ndërtime pa leje që e mbytin ajrin, shkolla që nuk janë të sigurta për fëmijët. Kjo nuk është fat, dhe unë nuk e pranoj këtë fat. Askush nuk duhet ta pranojë,” deklaroi Osmani.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos pajtohen me gjendjen në të cilën është sjellë komuna.
“Kjo gjendje është pasojë e njerëzve që kanë sunduar për 20 vjet dhe tani duan të sundojnë përsëri. Të gjitha problemet tona kanë emër dhe mbiemër dhe janë pasojë e vendimeve të tyre,” theksoi Osmani.
Osmani nënvizoi se kandidatura e tij nuk është pjesë e llogarive politike, por e një përgjegjësie dhe përkushtimi personal.
“Unë vij para jush me një mesazh të thjeshtë dhe me një plan konkret: ka ardhur koha për ndryshim. Dhe këtë ndryshim ua premtoj personalisht, si njeri. Unë jam mjek, profesionist, njeri që ka përfaqësuar zërin e qytetarëve para botës. Kur Maqedonia kryesonte me OSBE-në, unë e mbroja shtetin dhe komunitetin tonë me dinjitet. Tani atë kredibilitet e kthej në Çair,” tha Osmani.
Osmani theksoi se plani i tij nuk është të sundojë, por t’u shërbejë qytetarëve dhe komunës. Në përmbyllje, Osmani prezantoi edhe hapat e parë konkretë që do të ndërmarrë si kryetar komune.
“Gjatë 100 ditëve të para do të pastrohen të gjitha deponitë dhe mbeturinat nga rrugët e parqet. Do të fillojmë ndërtimin e parkingjeve të reja dhe do të vendosim rregull në komunikacion. Do ta çrrënjos korrupsionin nga rrënja e tij e kalbur dhe do të bëj një revizion të plotë të ndërtimeve pa leje. Asnjë pëllëmbë më nuk do të ndërtohet pa leje,” theksoi Osmani.