Mexhiti nga Tetova: Më 19 tetor vlerësoni dallimin mes projekteve tona dhe folklorizmave të tyre
Në sheshin e Tetovës, para drejtuesve të VLEN-it, deputetëve, ministrave, kandidatëve dhe qytetarëve të shumtë, kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti mbajti fjalim, ku theksoi mbështetjen e plotë për kryetarin aktual dhe kandidatin Bilall Kasami.
Ai u shpreh se ky përmbyllje e fushatës është një kremtim i demokracisë dhe një kapitull i rëndësishëm elektoral përpara zgjedhjeve të 19 tetorit.
Mexhiti tha se në këtë fushatë dallimi mes palëve është bërë më i qartë se kurrë: sipas tij, VLEN ka folur për projekte konkrete të realizuara dhe të planifikuara në pushtetin lokal, ndërsa kundërshtarët janë marrë me folklorizma dhe ofendime, pa ofruar asnjë argument për punën e tyre gjatë viteve që kanë drejtuar komunat.
“Ia filluan dhe e përfunduan fushatën duke ofenduar e duke u shërbyer me emrat e banorëve të ‘Fermës së kafshëve’. Andaj dallimi është i qartë dhe dua që ju më 19 tetor ta vlerësoni këtë dallim,” u shpreh Mexhiti.
Ai theksoi se Tetova për herë të parë ka parë angazhim serioz në nivel lokal gjatë mandatit të Kasamit:
“Njeriu i parë që seriozisht është marrë me punët e Tetovës në këtë katërvjeçar është Bilall Kasami. Tetovarët jo që kanë mundësi, por e kanë detyrim ta mbështesin, sepse sot më shumë se fjala jonë flet puna e tij.”
Mexhiti tha se është i bindur që Kasami do ta udhëheqë qytetin edhe në katër vitet e ardhshme si “kryetari më i mirë i qytetit më të madh të shqiptarëve në vend”.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që e diela e zgjedhjeve të jetë ditë feste familjare, pa tensione dhe me pjesëmarrje të lirë në votim.
Në fund të fjalimit, Mexhiti falënderoi të gjithë për një fushatë “dinjitoze dhe pak të gjatë” dhe shtoi me humor se pas 2028-ës nuk do të ketë zgjedhje, “që ju të pushoni e ne të punojmë”.