Ali Ahmeti: Pse të tërhiqem nga politika, humbësit duhet të tërhiqen!
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së Kryesisë Qendrore të partisë, ka reaguar ndaj thirrjeve për dorëheqje pas rezultateve zgjedhore, duke theksuar se nuk ka asnjë arsye të tërhiqet nga politika, njofton albazone media.
“Pse të tërhiqem unë nga politika? Humbësit duhet të tërhiqen, jo fituesit. Unë dhe partia ime nuk kemi humbur asnjë cikël zgjedhor për 23 vite me radhë,” deklaroi Ahmeti para gazetarëve. duke theksuar se BDI ka dalë fituese në shumicën e komunave dhe se rezultatet flasin vetë.
Ja një pjesë të fjalimit:
“Përse tërhiqem more vëlla? Ju a keni veshë apo s’keni. Kush ka fituar? Humbësi duhet të tërhiqe, jo fituesi. A i doni Dokumentet, shkoni në KQZ, verifikoni dhe nëse verifikohet për 25 vite një humbje të Ali Ahmetit, atëherë hajdeni flasim. Asnjë s’është tërheqë që ka humbur për 25 vite. Çerek shekulli ka fituar, jo këto tre cikle. Urdhëroni qe ku janë të shkruara e bardha midis zezës”, tha Ali Ahmeti.
Ai shtoi se partia e tij ka arritur fitore të qarta në garën për këshillat komunalë, duke përmendur se “faktet janë publike dhe askush nuk mund të mashtrojë opinionin”.
Ahmeti theksoi se BDI do të vazhdojë rrugën e saj drejt “forcimit të institucioneve, integrimit evropian dhe barazisë së plotë në vend”, ndërsa akuzoi kundërshtarët politikë se po përpiqen të manipulojnë me opinionin publik pas humbjes.
“Unë nuk gënjej dhe nuk dua ta gënjej popullin tim. Ne kemi fituar dhe këtë e dinë të gjithë,” u shpreh Ahmeti.
Konferenca e tij për shtyp u mbajt pas një takimi të Kryesisë Qendrore të BDI-së, ku u analizuan rezultatet zgjedhore dhe u riafirmua qëndrimi se partia mbetet forca më e madhe politike shqiptare në vend./AZ
Konferenca për shtyp e z.Ali Ahmeti pas Kryesisë Qendrore të BDI-së

