MaqedoniTop Lajme

Kasami në Gjilan takohet me Alban Hysenin, shkëmbejnë fanellat e Shkëndijës dhe Dritës

Shpërndaje

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, realizoi vizitë zyrtare në Gjilan, ku u prit nga homologu i tij, Alban Hyseni. Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit mes dy qyteteve shqiptare.

Gjatë qëndrimit në Gjilan, Kasami e uroi Hysenin për rizgjedhjen në krye të komunës për herë të dytë, duke theksuar vullnetin e përbashkët për projekte të reja që pritet të përmirësojnë jetën e qytetarëve në të dy qytetet.

“Sot pata kënaqësinë që ta vizitoj Gjilanin, ku u prita nga kryetari i Komunës së Gjilanit, miku im Alban Hyseni. E urova Hysenin për rizgjedhjen në krye të Gjilanit duke e marrë besimin për herë të dytë. Biseduam për bashkëpunimin mes dy qyteteve tona, duke nënvizuar përkushtimin për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit të deritanishëm me projekte të reja të përbashkëta në interes të qytetarëve tanë. Në prag të derbit shqiptar në Ligën e Konferencës sonte, mes Shkëndijës së Tetovës dhe Dritës së Gjilanit, shkëmbyem fanellat e ekipeve dhe i dëshiruam fat dy skuadrave tona në ecurinë e tyre në Evropë”, ka shkruar Kasami.

Vizita e Kasamit vjen në një moment të veçantë, teksa sonte zhvillohet derbi i shumëpritur shqiptar në Ligën e Konferencës mes Shkëndijës dhe Dritës, një duel që jo vetëm ngjall emocione sportive, por simbolizon edhe afrimin e shqiptarëve përmes sportit dhe miqësisë institucionale.