RajoniTop Lajme

Gjykata Supreme kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, rikthen në detyrë kryeprokurorin e shtetit

Shpërndaje

Gjykata Supreme e ka anuluar të mërkurën vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për shkarkimin e Besim Kelmendit nga detyra e ushtruesit të detyrës së kryeprokuror të shtetit, duke thënë se shkarkimi i tij ishte i kundërligjshëm. Në një njoftim për media, gjykata tha se ia ka kthyer lëndën Këshillit për rishqyrtim dhe rivendosje.

“Gjykata Supreme e ka aprovuar si të bazuar ankesën e paraqitur nga Besim Kelmendi, U.D. Kryeprokurori i Shtetit dhe ka anuluar vendimin KPK.nr.1056/2025, të datës 20 nëntor 2025, si të kundërligjshëm”, thuhet në njoftim. Kelmendi u shkarkua muajin e kaluar pas raportimeve se ai gjoja kishte bashkëpunuar më 1999 me një gjyqtare serbe për rastin e Masakrës së Reçakut, të cilën ajo e konsideronte ngjarje të trilluar. Ai i ka mohuar këto pretendime. Shkarkimi i tij shkaktoi polemika për ligjshmërinë e vendimit, pasi ai u votua nga vetëm pesë anëtarë të Këshillit Prokurorial. Pjesa tjetër e anëtarëve vlerësuan se s’kishte kuorum, dhe e quajtën vendimin “puç institucional”.

Njoftimi i plotë nga Gjykata Supreme e Kosovës:

Aprovohet ankesa e U.D. Kryeprokuorit Besim Kelmendi, anulohet vendimi për shkarkim si i kundërligjshëm
– Gjykata Supreme e ka aprovuar si të bazuar ankesën e paraqitur nga Besim Kelmendi, U.D. Kryeprokurori i Shtetit dhe ka anuluar vendimin KPK.nr.1056/2025, të datës 20 nëntor 2025, si të kundërligjshëm. Lënda i është kthyer Këshillit Prokurorial të Kosovës në rishqyrtim dhe rivendosje.
Gjykata Supreme e Kosovës, pas vlerësimit të pretendimeve ankimore lidhur me vendimin e atakuar, në mbështetje të nenit 15, të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ka gjetur se ankesa është e bazuar.
Meqenëse vendimi mbi shkarkim është marrë bazuar në pretendimet se U.D i kryeprokurorit të shtetit, përmes deklarimeve në Këshill dhe media ka shprehur qëndrim të njëanshëm, të cilat qëndrime dhe deklarime kanë denigruar pozitën e tij dhe kanë cenuar besimin e sistemit prokurorial dhe të publikut, janë elemente të përgjegjësisë disiplinore që përfshihen në kuadër të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Gjykata Supreme e Kosovës nisur nga kjo gjendje e çështjes, vlerëson se qëndrimi dhe përfundimi juridik i Këshillit Prokurorial të Kosovës nuk është i drejtë dhe i ligjshëm. Kjo, pasi që vendimi i atakuar është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, dhe Kodit të Etikës Profesionale për Prokurorë.
Sipas Gjykatës Supreme vendimi i atakuar është i kundërligjshëm, arbitrar dhe i pa bazë, sepse është kontradiktor në vetvete nga fakti se ku mbështetet një vendim i tillë (baza ligjore), dhe kjo krijon pasiguri se si ka mundësi një organ i tillë të merr vendime pa bazë ligjore specifike dhe referuar në dispozita që nuk i japin autorizime të veprojë në formën dhe mënyrën se si ka vepruar. Pra është procedurë e pa mbështetur në ligj dhe atë që nga fakti i rendit të ditës, caktimit të të njëjtit, ndryshimit të rendit të ditës, votimit, procedimit, përfundimit, rihapjes apo takimit të ri deri te vendimi i atakuar për shkarkim.

Linku i vendimit: KËTU

Linku i komunikates: KËTU