Komandanti i KFOR-it, Ulutas: Paqja afatgjatë arrihet përmes dialogut Beograd-Prishtinë
Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneral-major Ozkan Ulutas, theksoi se paqja afatgjatë mund të arrihet vetëm përmes dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu.
Në një intervistë për televizionin publik në Kosovë, Ulutas rikujtoi se pas dhunës së vitit 2023 në veri të vendit, NATO dislokoi deri në 1.000 trupa shtesë, përforcimi më i madh i KFOR-it në dhjetë vitet e fundit.
Ai ka deklaruar se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë, por e brishtë dhe e ekspozuar ndaj rritjeve të papritura të tensioneve.
“Dekadat e paqes së fituar me shumë mund nuk guxojnë të rrezikohen”, theksoi Ulutas, duke shtuar se prania e KFOR-it krijon hapësirë për dialog politik dhe se nga të dyja palët pritet të marrin pjesë me mirëbesim, të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese dhe të jenë të gatshme për kompromis.
Ai tha se KFOR-i ka prani të dukshme dhe fleksibile në të gjithë Kosovën, përfshirë komunat veriore, dhe bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës, EULEX-in, UNMIK-un dhe partnerët ndërkombëtarë.
Aktualisht, misioni numëron mbi 5.000 ushtarë dhe, sipas Ulutas, mbetet vigjilent dhe i gatshëm të veprojë në mënyrë të paanshme.
Ulutas theksoi se stabiliteti i qëndrueshëm nuk arrihet me mjete ushtarake, por politike, duke shtuar se nga të dyja palët pritet mirëbesim, zbatim i marrëveshjeve dhe gatishmëri për kompromis.
Duke folur për bashkëpunimin me Serbinë, ai tha se komunikimi me Ushtrinë e Serbisë është profesional dhe transparent, ndërsa patrullimet e sinkronizuara përgjatë vijës administrative zhvillohen rregullisht, duke kontribuar në stabilitetin rajonal.
Sipas Ulutas, KFOR-i e zbaton mandatin e tij në mënyrë transparente dhe në dobi të të gjitha komuniteteve, ndërsa çdo vendim për të ardhmen e misionit do të varet nga kushtet e sigurisë në terren dhe vendimet e NATO-s, në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së.

