Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, apelon për zgjedhje të lira dhe pa keqpërdorime

Shpërndaje

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, bëri thirrje për një fushatë zgjedhore të qetë dhe larg fenomeneve negative që u vërejtën në zgjedhjet e kaluara, pas një takimi me përfaqësues të institucioneve dhe organizata që do të organizojnë dhe monitorojnë procesin zgjedhor.

Ky takim – ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të ambasadës së SHBA-së, zyrës së BE-së dhe kryesuesja e misionit të OSBE/ODIHR, Audrey Glover – u zhvillua një ditë para hapjes së fushatës për zgjedhjet lokale që do të zhvillohen në Shqipëri më 14 maj.

“Partitë politike duhet të paraqesin vetëm ofertë. Përvojat e mëparshme na kanë përballur jo rrallë herë me fenomene negative dhe me forma të paligjshme si pjesë e fushatës zgjedhore dhe institucionet jo gjithmonë kanë reaguar me sukses”, tha Begaj.

Ai shtoi se “fenomenet e shit-blerjes së votës, keqpërdorimit të burimeve financiare, financimet jo transparente dhe prishja e procesit zgjedhor janë të patolerueshme”.

“Policia duhet të reagojë përballë çdo fenomeni që mund të cenojë procesin zgjedhor. Monitoruesit dhe komisionarët duhet të punojnë paanshmëri”, tha tutje ai.