Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i Salentos nga Italia thellojnë bashkëpunimin arsimor – shkencor

Shpërndaje

Prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Universitetit të Salentos nga Italia, Prof. Dr. Gennaro Scarselli, i shoqëruar nga Dr. Francesco Mariano, e vizituan Universitetin e Tetovës. Me këtë rast, ata u pritën në takim nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti dhe Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Shefik Shehu.

Në këtë takim, palët fillimisht shkëmbyen informacione të përgjithshme rreth veprimtarisë arsimore dhe shkencore të dy institucioneve, mënyrën e organizimit të studimeve, numrin e përgjithshëm të studentëve, anëtarësimet në organizata dhe projekte të ndryshme ndërkombëtare, si dhe informacione të tjera që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit arsimor-shkencor.

Ata, gjithashtu thanë se, për të dy universitetet, përveç aspektit të mësimdhënies prioritet parësor mbetet investimi në fushën e kërkimeve shkencore. Nisur nga kjo, palët diskutuan edhe për mundësitë e krijimit të një partneriteti. Sipas tyre, të gjitha këto tematika që kanë të bëjnë me veprimtarinë e dy universiteteve, në të ardhmen mund të realizohen me finalizimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Universitetit të Tetovës dhe Universitetit të Salentos, një marrëveshje e cila do të mundësonte organizimin e konferencave shkencore, seminareve, simpoziumeve, mobilitet të stafit akademik dhe studentëve, pjesëmarrje në trajnime të ndryshme profesionale dhe aktivitete të tjera.