MaqedoniTop Lajme

Mundësi të reja për studentët e UNT-së, nënshkruhet memorandumi për qeverisje të mirë dhe praktikë profesionale

Shpërndaje

Shkup, 25.12.2025 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup dhe Kabineti i Zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, i ngarkuar për politikat e qeverisjes së mirë, kanë nënshkruar sot një Memorandum Mirëkuptimi me qëllim forcimin e bashkëpunimit institucional dhe rritjen e transparencës.

Me rastin e nënshkrimit, rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, ishte i shoqëruar nga prorektori për Financa, Investime dhe Zhvillim, Prof. Inor. Dr. Bujamin Bela. Nga ana tjetër, Zëvendëskryeministri i angazhuar për politikat e qeverisjes së mirë, z. Arben Fetai, ishte i shoqëruar nga Doc. Dr. Deniz Memedi.

Ky memorandum shënon fillimin e një marrëdhënieje të ngushtë bashkëpunimi, ku objektivat kryesore përfshijnë, praktika profesionale për studentët, angazhimin e ekspertëve nga stafi akademik dhe anasjelltas, projekte të përbashkëta për realizimin e aktiviteteve kërkimore dhe trajnimeve që synojnë rritjen e integritetit institucional dhe efikasitetit të administratës publike.

Rektori Fetaji theksoi se ky partneritet është një dritare e re për studentët dhe një mundësi që potenciali shkencor i universitetit të vihet në shërbim të shtetit. Ndërkaq, Zëvendëskryeministri z. Arben Fetai u shpreh se bashkëpunimi me akademinë është thelbësor për krijimin e një sistemi qeverisës transparent dhe llogaridhënës.

Ky Memorandum regjistron vullnetin e të dyja palëve për të zhvilluar fusha të përbashkëta të aktiviteteve, duke i paraprirë marrëveshjeve specifike që do të rregullojnë projektet e ardhshme në bazë të burimeve përkatëse.