Sistemi turk kundërajror GOKDENIZ kryen me sukses testin e gjuajtjes nga fregata
Sistemi i Mbrojtjes Ajrore me Rreze të Afërt ASELSAN GOKDENIZ, i cili mbron anijet luftarake turke nga kërcënimet ajrore, ka realizuar me sukses testimin me qitje reale nga fregata TCG ISTANBUL, transmeton Anadolu.
Shefi i Industrisë së Mbrojtjes pranë Presidencës së Turqisë, Haluk Gorgun, në një postim në NSosyal deklaroi se në mbrojtjen ajrore detare ka nisur një epokë e re.
Duke theksuar se testimi me qitje reale i sistemit ASELSAN GOKDENIZ mbi fregatën TCG ISTANBUL u përfundua me sukses, Gorgun tha se sistemi, “i pajisur me municionin ASELSAN ATOM të kalibrit 35 mm me copëza, ofron efikasitet të lartë kundër raketave të anijeveve dhe siguron mbrojtje të provuar ndaj skenarëve të kërcënimeve që fluturojnë në lartësi të ulët mbi sipërfaqen e detit (sea-skimming)”.
“Sistemi GOKDENIZ e çon në një nivel më të lartë aftësinë e mbrojtjes ajrore të platformave tona detare”, u shpreh Gorgun.
Ai shtoi se ky sistem vendor dhe origjinal, i cili shërben në platforma të ndryshme të Forcave Detare Turke dhe është tashmë në inventarin e tri vendeve, vazhdon të forcojë sigurinë dhe fuqinë parandaluese të Turqisë në “atdheun blu”.
Në fund, Gorgun përgëzoi kompaninë ASELSAN dhe të gjithë aktorët e industrisë së mbrojtjes, si dhe punonjësit që kanë kontribuuar në këtë sukses të rëndësishëm, duke i falënderuar për përkushtimin dhe punën e tyre.

