MaqedoniTop Lajme

Propozimi për pagën minimale prej 600 eurosh nuk kaloi në lexim të parë në Kuvend

Shpërndaje

Propozimi për pagën minimale prej 600 eurosh nuk kaloi në lexim të parë, pasi Komisioni parlamentar për çështje ekonomike e refuzoi zgjidhjen ligjore të paraqitur nga deputetët e LSDM-së dhe Të Majtës. Gjatë debatit, deputetët e pushtetit nuk u paraqitën për fjalë.

“Nuk ndërtohet shtet në të cilin patriotët do të thonë se duhet ta duam më shumë, nëse xhepi është bosh dhe stomaku është bosh. Me xhep bosh dhe stomak bosh nuk bëhesh patriot”, tha Fatmir Bytyqi, deputet i LSDM-së.

“Një gjevrek dhe një jogurt në ditë — siç tha kolegu Snopçe — 80 denarë. Gjevrek dhe jogurt, 80 denarë. Po byreku? Nëse keni diçka për të thënë për byrekun, lirisht merrni fjalën. Pra, gjevrek dhe jogurt – 80 denarë. Për një familje katër anëtarëshe kjo është 320 denarë në ditë vetëm për një vakt. Nëse llogarisim mëngjes, drekë dhe darkë, janë 960 denarë në ditë, përkatësisht 28.800 denarë në muaj. Ndërsa paga minimale është 24.000 denarë”, u shpreh – Jovan Mitreski, deputet i LSDM-së.

Asnjë deputet nga pushteti nuk u paraqit për fjalë gjatë seancës, me përjashtim të Cekov nga ZNAM, i cili deklaroi se e mbështet ligjin për rritjen e pagës minimale, pasi produktiviteti në Maqedoni ka qenë më i larti ndër vendet e rajonit, ndërsa inflacioni i ka “ngrënë” pagat.

Ndryshe, para fillimit të seancës, deputeti nga radhët e VMRO-së, Bojan Stojanoski, deklaroi se marrëveshja për rritjen e pagës duhet të arrihet në Këshillin Ekonomiko-Social.

“Aty është adresa ku duhet të diskutohet për këtë çështje, ndërsa deri atëherë ne, si Qeveri, do të synojmë vendosjen e një sistemi që do të garantojë rritje të të gjitha pagave”, u shpreh Bojan Stojanoski, deputet i VMRO–DPMNE-së.

Ky propozim-ligj shkon edhe në Komisionin për sistem politik dhe në seancë plenare, pasi është me procedurë të rregullt. /Alsat.mk