MaqedoniTop Lajme

Ramiz Merko ankohet se Ali Ahmeti e la në “lloç”, ndërsa sot i mbron Bexhetin e Deharin

Shpërndaje

BDI për dikë nënë e për dikë njerkë. Ish kryetari i Strugës dhe ish funksionari i lartë i integristëve Ramiz Merko akuzon Ali Ahmetin se e ka lënë në “lloç” derisa përballej me procese gjyqësore, ndërsa sot ngre zërin për Blerim Bexhetin e Fatmir Deharin ndaj të cilëve u dorëzuan disa kallëzime penale, shkruan Alsat.

“Për vite me radhë kam qenë ndër zërat më të fuqishëm në terren, duke mbajtur gjallë strukturën dhe duke siguruar rezultate konkrete. Në disa cikle zgjedhore, pikërisht zona jonë ka bërë diferencën në balancën e mandateve. Por në momentin kur u përballa me procese gjyqësore, mbështetja mungoi. Përkundrazi, u krijua një distancim i hapur, madje deri në mohimin e lidhjes sime me strukturat”, shkruan Merko.

Merko tha se Ahmeti u ka dalë në mbrojtje funksionarëve të akuzuar për vepra shumë më të rënda se të tij.

“Kontrasti bëhet edhe më i qartë kur shohim se në raste të tjera, për figura të nivelit të lartë si ish-zv.kryeministri Artan Grubi, reagimet janë të kujdesshme, të zbutura apo edhe mbrojtëse. Pra, në njërën anë relativizohen akuza të rënda për korrupsion, ndërsa në anën tjetër heshtet për procese që lidhen me vendimmarrje administrative dhe çështje identitare”, shkruan Merko.

Se BDI ka heshtur kur është dashur t’i mbrojë funksionarët e saj partiak, thekson edhe ish kryetari i Degës në Dibër, Artin Spahiju.

“Nuk është problem që Bashkimi Demokratik për Integrim del në mbrojtje të funksionarëve të saj, përkundrazi, kjo është detyrë politike kur beson në pafajësinë e tyre. Problemi lind kur kjo mbrojtje bëhet selektive. Pse sot reagim i organit më të lartë partiak për disa, ndërsa dje heshtje ose zë i dobët për shokët tanë partiak nga Tetova, Gostivari, Shkupi, Kërçova, Struga etj., për të cilët edhe zogjtë në mal e dinë se janë të pafajshëm dhe akuzohen politikisht për vepra që askush më parë nuk është akuzuar”, shkruan Spahiju.

Krahas Bexhetit, Deharit e Merkos, disa procedura janë udhëhequr edhe për funksionarë tjerë partiak. Aktualisht ish ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi është i akuzuar lidhur me tragjedinë në Koçan, ish zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi i kallëzuar penalisht për mashtrim në shërbim, ish zëvendëskryeministri Festim Halili i kallëzuar penalisht gjatë kohës kur ishte drejtor i Fondit për Inovacion, ish drejtori komercial i EMV-së, Ardian Muça për shpërdorim me detyrën zyrtare, ish drejtori i Higjienës Komunale, Sabaudin Rustemi për shpërdorim me detyrën zyrtare, ish sekretari shtetëror, Jahi Jahiu për shpërdorim të fondeve ndërkombëtare, i akuzuar dhe ndjekur penalisht nga Prokuroria Italiane, ish drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami për mashtrim dhe shpërdorim me detyrën zyrtare, ish deputeti Ejup Alimi për manipulime me procesin zgjedhor, bashkë me të edhe Ismet Guri. Ish ministri i Pushtetit Lokal, Lirim Shabani për shpërdorimin e IPA fondeve në Ministri të Ekologjisë dhe Nefi Useini për dhunë dhe armëmbajtje pa leje. /Alsat.mk