Qeveria miraton propozim-ligjin e arsimit të lartë, Sali:Version me të gjitha sugjerimet e universiteteve shqiptare
Propozim-ligji për arsimin e lartë përfundon në Qeveri dhe këtyre ditëve pritet t’i dorëzohet Kuvendit për miratim. Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka deklaruar se ligji është miratuar në Qeveri në versionin final, duke përfshirë të gjitha sugjerimet e universiteteve shqiptare. Avancimet, sipas Sali, do të jenë e drejtë e universiteteve, ndërsa theksoi se asnjë i punësuar nuk do të largohet nga puna.
“Kemi arritur suksesin që të kemi një ligj të rafinuar mirë dhe që do t’i përgjigjet të gjitha nevojave të arsimit të lartë në periudhën e ardhshme, ajo nënkupton marrëveshjen, ose një pikë e rëndësishme, që ka qenë si shqetësim te punonjësit akademik, heqja e H indeksit, e cila në të kaluarën ishte si kriter bazë për zgjedhjet akademike apo avancimet akademike. Tani, nuk do të jetë kjo, do të jetë e drejtë e universiteteve brenda. Për raste të caktuara ku ka dy ose më tepër kandidatë, H faktori të jetë një nga faktorët vendimmarrës. Kemi garantuar edhe të punësuarit në universitetet tona se asnjë i punësuar nuk do të largohet nga vendi i punës.”, – deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali.

