Gërvalla: Sot drejtësia foli. Jo e plotë, por një pjesë domethënëse e drejtësisë u vendos sot në Republikën e Kosovës
Sot drejtësia foli. Jo e plotë, por një pjesë domethënëse e drejtësisë u vendos sot në Republikën e Kosovës.
Aktgjykimet për sulmin terrorist në Banjskë nuk e kthejnë në jetë Heroin e Kosovës, rreshterin e Policisë, Afrim Bunjaku, i cili ra duke mbrojtur rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit.
Ato nuk e zhbëjnë sulmin agresor ndaj Republikës së Kosovës, të cilin institucionet tona e zmbrapsën me vendosmëri.
Ato nuk e ndryshojnë faktin se Serbia e përgatiti, e organizoi, e mbështeti dhe e financoi këtë sulm dhe se ky rrezik mbetet i pranishëm.
Ato nuk e ndryshojnë as hezitimin e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare për ta quajtur këtë akt me emrin që e meriton: sulmi ishte sulm, vrasja ishte vrasje, agresioni ishte agresion, një sulm i hapur agresor i shtetit serb ndaj Republikës së Kosovës.
Por ato vendosin përgjegjësi.
Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Tolliq u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviq me 30 vite burgim, për përfshirjen e tyre në këtë sulm.
Drejtësia nuk mund të mbetet e pjesshme. Të gjithë të përfshirët, përfshirë organizatorin dhe drejtuesin e këtij grupi, Millan Radoiçiq, duhet të ekstradohen dhe të dalin para drejtësisë në Republikën e Kosovës.
Republika e Kosovës do të vazhdojë të kërkojë përgjegjësi, pa kompromis, për çdo akt që cenon rendin kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve të saj.
Shteti ligjor në Kosovë garanton gjykim të drejtë dhe transparent, në përputhje me standardet ndërkombëtare, siç u dëshmua edhe në këtë rast.
Institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të ndalen derisa secili përgjegjës për këtë krim, dhe për çdo krim tjetër kundër Republikës sonë, të japë përgjegjësi para drejtësisë, pavarësisht emrit, pozitës, ndikimit apo rolit të tij në prapaskenë.

