UNT zgjeron bashkëpunimin ndërkombëtar me Universitetin Shtetëror të Sportit të Gjeorgjisë
Shkup/Tbilisi, Prill 2026 – Në kuadër të strategjisë për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë dhe forcimin e kapaciteteve kërkimore-shkencore, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup ka nënshkruar zyrtarisht Memorandum Mirëkuptimi me Universitetin Shtetëror të Sportit të Gjeorgjisë (Georgian State University of Sport), me seli në Tbilisi.
Ky akt zyrtar u realizua gjatë vizitës zyrtare të rektorit të UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, i cili shoqërohej nga prorektorja, Prof. Inor. Dr. Diturije Ismaili, dekania, Prof. Inor. Dr. Urime Demiri Shaipi, si dhe Mr. Driton Zendeli.
Marrëveshja e nënshkruar me rektorin e universitetit gjeorgjian, Prof. Dr. Tristan Gulbiani, synon krijimin e një platforme të qëndrueshme për bashkëpunim dypalësh në fushat me interes të ndërsjellë, duke u fokusuar në mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik, realizimin e projekteve kërkimore-shkencore, shkëmbimin e literaturës dhe bazave të dhënave digjitale, si dhe organizimin e përbashkët të ngjarjeve shkencore ndërkombëtare.
Gjatë takimit, rektori Fetaji theksoi se ky partneritet hap horizonte të reja për studentët e UNT-së, veçanërisht në fushën e shkencave të sportit dhe edukimit fizik, duke u ofruar atyre mundësi për të përfituar nga përvojat ndërkombëtare dhe praktikat më moderne të këtij institucioni prestigjioz në Gjeorgji.
Ky memorandum paraqet një tjetër sukses të radhës për Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, duke konfirmuar angazhimin e palëkundur të udhëheqësisë për rritjen e cilësisë akademike dhe pozicionimin e universitetit si një qendër e rëndësishme e shkëmbimit akademik rajonal dhe global.

