U.D. Presidentja Haxhiu: Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës mbahen më 7 qershor
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur Presidentin, bazuar edhe në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë dhe zgjedhjet duhet të mbahen brenda afatit prej 45 ditësh.
Në linjë me përgjegjësitë kushtetuese, U.D. Presidentja Haxhiu, dje ka pritur në takim Kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Kreshnik Radoniqi, me të cilin ka diskutuar për aspektet organizative të procesit zgjedhor.
Ndërsa sot, bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, është takuar me drejtues e përfaqësues të subjekteve politike.
Në këtë takim, ajo ka dëgjuar propozimet e partive politike për datën e zgjedhjeve.
“Pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve në proces, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbahen më 7 qershor”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu, në një konferencë të mbajtur për media.
Ajo më tej ka thënë se Kosova ka dëshmuar se di të organizojë procese zgjedhore të lira, demokratike dhe të besueshme, këtë e konfirmojnë edhe vëzhguesit ndërkombëtarë.
U.D. Presidentja Haxhiu, stafit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve iu ka uruar punë të mbarë e vullnet të hekurt për të mbrojtur vullnetin e qytetarëve.
“Sikurse jam e bindur se edhe kësaj radhe qytetarët do ta thonë fjalën e tyre me dinjitet, qetësi dhe pjekuri demokratike. Subjekteve politike u uroj sukses në fushatë, ndërsa qytetarëve ushtrim të lirë dhe pa presion të së drejtës së votës”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu ka uruar që të kemi një fushatë korrekte, të përgjegjshme dhe në përputhje me standardet demokratike, siç ka dëshmuar Kosova edhe në proceset e kaluara zgjedhore.


