SHBA dhe Venezuela rivendosin marrëdhëniet/ Ulet me sukses fluturimi nga Miami në Karakas, i pari që nga 2019
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Venezuela duket se kanë rivendosur sërish marrëdhëniet diplomatike.
Fluturimi i parë direkt komercial midis Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës pas shtatë vitesh u ul këtë të premte në Aeroportin Ndërkombëtar Simon Bolívar pranë Karakasit.
Fluturimi 3599 i Envoy Air, një degë e American Airlines, u nis nga Miami në mëngjes, duke shënuar një hap të ri në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
“American Airlines po rifillon fluturimet direkte nga SHBA-ja për në Venezuelë për herë të parë në shtatë vjet. Kjo nuk do të ishte e mundur pa udhëheqjen e guximshme të Presidentit Trump”, thuhej në një reagim të Shtëpisë së Bardhë.
Ulja e këtij fluturimi shënon fundin e izolimit të Venezuelës nga SHBA-ja dhe riintegrimin e vendit në skenën globale të aviacionit pas përjashtimit të tij në vitin 2019. American Airlines është kompania e parë amerikane që rifillon fluturimet për në Venezuelë.
Në janar, forcat amerikane kapën Presidentin Nicolas Maduro dhe gruan e tij, të cilët mbeten të burgosur në Nju Jork, ndërsa qeveria amerikane kërkon arrestimin e tij për akuza përfshirë narkoterrorizmin.
Pas këtij operacioni, Uashingtoni dhe qeveria e përkohshme e Delcy Rodriguez ranë dakord të rivendosin marrëdhëniet diplomatike dhe po normalizojnë ngadalë lidhjet në të gjitha fushat. Ambasada amerikane në Karakas rifilloi operacionet në fund të marsit, ndërsa pritet rihapja e ambasadës venezueliane në Uashington.
Njëkohësisht, Presidenti Donald Trump po lehtëson gradualisht sanksionet ndaj Venezuelës, ndërsa vendi ka miratuar ligje të reja për sektorin e hidrokarbureve dhe minierave, duke i hapur për sektorin privat.
Megjithatë, Departamenti i Shtetit këshillon qytetarët amerikanë të shmangin udhëtimet në Venezuelë për shkak të rreziqeve nga krimi, rrëmbimi, terrorizmi dhe infrastruktura e dobët shëndetësore. /CNA


