Kurti: Beogradi po ushtron trysni të madhe mbi serbët e Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka denoncuar ashpër presionin intensive dhe shantazhet që Beogradi zyrtar po ushtron mbi komunitetin serb në Kosovë.
Gjatë një konference për media, Kurti e cilësoi situatën si alarmante, duke u bazuar në ankesat e drejtpërdrejta të vetë qytetarëve serbë lokalë.
Sipas kreut të qeverisë, Serbia po përdor mekanizma të egër shtrëngues për të detyruar serbët e Kosovës që të mbështesin ekskluzivisht Listën Serbe, duke eliminuar çdo pluralizëm politik.
Kurti iu referua edhe deklaratave të Ministrit për Komunitete dhe Kthim, duke konfirmuar shkallën e lartë të kontrollit që po ushtrohet nga Serbia, përfshirë edhe survejimin digjital.
“Unë besoj që fjala e ministrit për Komunitete dhe Kthim në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Republikës Kosovës mbi trysninë e tmerrshme që po bëhet mbi serbët e Kosovës nga Beogradi, që patjetër ta votojnë Listën Serbe dhe askënd tjetër, dhe masat që po i ndërmerr Serbia duke i përcjellë edhe rrjetet sociale të secilit zyrtar shtetëror, të secilës figurë publike, të secilit politikan serb që ndonjëherë ndokund ka garuar, me të vërtetë janë alarmuese”, tha ai.
Sipas tij, ky fenomen ka marrë përmasa të mëdha dhe të thella në vitet e fundit dhe se presioni nga Beogradi nuk ka qenë më i madh se tani gjatë mandatit të tij si kryeministër.
“Këtë lloj terrori që po e bën Beogradi zyrtar mbi serbët e Kosovës, e kemi të dëshmuar prej vetë ankesave të serbëve të Kosovës. Ky është një fenomen i cili ka marrë përmasa të mëdha dhe të thella si asnjëherë më parë në këto vitet prej se unë jam kryeministër.
Pra, kurrë nuk ka pasur kaq shumë trysni nga Beogradi, kërcënime, frikësime, shantazhe, shkëputje të mjeteve të ndryshme financiare ose të çfarëdo mbështetje që ata kanë marrë nga Serbia ndonjëherë, me kushtëzimin që të rreshtohen, thuajse bëhet fjalë për ushtri në kohë të luftës, në radhët e Listës Serbe”, shtoi ai.
Kurti po ashtu tha se Serbia synon krijimin e dualizmave shtetërorë brenda territorit të Kosovës.
“Në anën tjetër, ju e dini që Serbia mundohet që vazhdimisht të ketë elementet e saj, nëpërmjet së cilës dëshiron të krijojë dualizma shtetërorë brenda territorit tonë të Republikës, sa i përket funksionimit të institucioneve, sa i përket shërbimeve publike, dhe natyrisht që ato janë veprime ilegale në shtetin tonë të pavarur”, deklaroi ai.

