Mickoski: Tetova bëhet qendër e re e prodhimit të “Javo Automotive”, priten 500 punësime
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të nderuar përfaqësues të kompanisë „Javo Automotive“,
Sot kemi edhe një lajm të rëndësishëm për ekonominë maqedonase, për zhvillimin industrial dhe për hapjen e vendeve të reja të punës.
Bëhet fjalë për investimin e kompanisë „Javo Automotive“, një kompani shumëkombëshe me më shumë se katër dekada përvojë në industrinë automobilistike, e pranishme në tregjet ndërkombëtare si prodhuese e sistemeve të sigurisë, kabllove të kontrollit dhe mekanizmave për prodhuesit kryesorë botërorë në sektorin e automobilizmit.
Kompania aktualisht e realizon prodhimin e saj, siç dëgjuat, në Turqi dhe në Evropën Qendrore, duke furnizuar partnerë të shumtë me reputacion nga industria automobilistike.
Investimi i ri do të realizohet në Zonën e Zhvillimit Teknologjik Industrial të Tetovës dhe përbën një tjetër dëshmi se po bëhemi një destinacion tërheqës për kompanitë që operojnë në industri me vlerë të lartë të shtuar dhe me teknologji moderne të prodhimit.
Është planifikuar që në Tetovë të transferohet i gjithë prodhimi nga Turqia dhe Sllovakia.
Veçanërisht e rëndësishme është se i gjithë prodhimi i kabllove të kontrollit të kompanisë në të ardhmen do të realizohet pikërisht këtu, në Tetovë, gjë që paraqet një konfirmim shtesë të besimit që investitori ka ndaj ekonomisë vendase maqedonase, fuqisë punëtore dhe klimës së biznesit.
Investimi, siç u përmend tashmë, do të fillojë me marrjen me qira të një objekti ekzistues, pra bëhet fjalë për një investim të tipit „brownfield“, me një sipërfaqe prej 8.000 metrash katrorë, ndërsa sipas planit zhvillimor të kompanisë, kapacitetet do të zgjerohen deri në 21.000 metra katrorë deri në vitin 2028.
Gjatë pesë viteve të para, pra në periudhën 2026–2030, kompania planifikon të investojë, siç u përmend më parë, rreth 20-21 milionë euro.
Ky investim do të sjellë edhe mundësi të reja punësimi. Sipas planit të biznesit të kompanisë, do të hapen nga 400 deri në 500 vende të reja pune, kur kompania të arrijë kapacitetin e saj të plotë.
Përveç kësaj, projekti do të ketë një ndikim të rëndësishëm pozitiv në eksport, pasi plani i tyre është që eksporti të arrijë në 45 milionë euro në vit.
Ky nuk është vetëm një investim në shifra. Ky është një investim në besim.
Besim në institucionet. Besim në politikat ekonomike. Besim në stabilitetin e shtetit.
Kur një kompani e huaj merr vendimin që një pjesë të prodhimit të saj ta transferojë pikërisht këtu, tek ne, kjo do të thotë se ka njohur siguri, parashikueshmëri dhe një perspektivë të qartë ekonomike.
Gjatë periudhës së kaluar, shumëkush fliste se investitorët do të largoheshin, se zonat industriale do të stagnonin dhe se ekonomia nuk kishte kapacitet për zhvillim të ri. Por, kam një lajm të keq për ta. Jo vetëm që gjërat po ecin shumë mirë, madje shumë më mirë se kurrë më parë, por edhe faktet tregojnë të kundërtën.
Kompani të reja po vijnë, investitorët ekzistues po i zgjerojnë kapacitetet e tyre, ndërsa vendi po bëhet gjithnjë e më i dukshëm në hartën e industrisë evropiane.
Pikërisht për këtë arsye, çdo investim të ri e shohim si pjesë të një strategjie më të gjerë. Ne nuk ndërtojmë një ekonomi të bazuar në borxhe dhe truke statistikore. Ne ndërtojmë një ekonomi që mbështetet në prodhim, investime, eksport dhe rritje reale ekonomike.
Prandaj, investimi i sotëm i „Javo Automotive“ është edhe një tregues se po lëvizim në drejtimin e duhur.
Ky është një mesazh për çdo të ri që mendon për të ardhmen e tij. Ky është një mesazh për çdo punëtor, inxhinier, teknik dhe sipërmarrës. Ky është një mesazh se shteti po bëhet sërish një vend ku ia vlen të investohet, të punohet dhe të ndërtohet e ardhmja.
Vazhdojmë me edhe më shumë energji, edhe më shumë investime dhe edhe më shumë mundësi për qytetarët.
Qëllimi ynë është i qartë – një ekonomi e fortë, një standard më i lartë jetese dhe një shtet që po zhvillohet me ritme të përshpejtuara.
Ju faleminderit.


