MaqedoniTop Lajme

Hapen zyrtarisht punimet e konferencave ndërkombëtare Insode dhe Bemtur 2026 në UNT

Shpërndaje

Sot në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup u hapën zyrtarisht punimet e dy ngjarjeve madhore shkencore ndërkombëtare: Konferenca e 15-të Botërore mbi Inovacionin dhe Shkencat Kompjuterike (INSODE-2026) dhe Konferenca e 11-të Globale mbi Biznesin, Ekonominë, Menaxhimin dhe Turizmin (BEMTUR-2026).

Ky organizim i nivelit të lartë realizohet përmes një partneriteti strategjik të UNT-së, Universitetit për Biznes dhe Teknologji – UBT nga Prishtina dhe Qendrës TAEG. Konferenca zhvillohet në format hibrid, duke bërë bashkë qindra shkencëtarë dhe kërkues nga mbarë bota, ndërsa punimet e përzgjedhura do të indeksohen në platformat prestigjoze SCOPUS dhe Clarivate Analytics.

Në ceremoninë e hapjes, rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve duke theksuar se Shkupi sot shndërrohet në një pikëtakim global të mendimit akademik, ku po adresohen sfidat e kohës si inteligjenca artificiale, inovacioni dhe turizmi i qëndrueshëm.

Në emër të partnerëve dhe komitetit drejtues, të pranishmëve me fjalime hyrëse u drejtuan edhe Prof. Dr. Huseyin Uzunboylu keytar i TAEG, si dhe kryetarët e konferencës, Prof. Dr. Ozcan Asilkan nga HCT, Abu Dhabi dhe Prof. Dr. Blerton Abazi nga UBT, të cilët vlerësuan lart shkëmbimin e njohurive dhe ekselencën akademike pa kufij.

Sipas agjendës, dita e parë vijoi me ligjëratat kryesore nga personalitete të shquara si Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Prof. Dr. Ramiz Zekaj, Prof. Dr. Huseyin Uzunboylu dhe Prof. Dr. Blerton Abazi, Prof. Dr. Blerta Prevalla, për të vazhduar me prezantimet e hulumtimeve shkencore në sesione paralele. Ndërsa kjo konferencë u moderua nga Prof. Dr. Stojan Kitanov, profesor nga Fakulteti i Shkencave Informatike të UNT-së.

Punimet e konferencave do të zgjasin deri më 4 korrik, ku do të ketë diskutime të frytshme ndërmjet profesorëve, kërkuesve dhe studentëve pritet të sjellin zgjidhje inovative dhe vlerë të shtuar për zhvillimin teknologjik, ekonomik dhe arsimor.

Punimet e përbashkëta të INSODE dhe BEMTUR 2026 do të shërbejnë si një urë lidhëse për partneritete të reja akademike dhe për avancimin e brezave të rinj të studiuesve.

#UNT #UBT #TAEG #INSODE #BEMTUR #conference