Ndërron jetë veterani i gazetarisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Nijazi Muhamedi
Është ndarë nga jeta sot, më 2 korrik, veterani i gazetarisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Nijazi Muhamedi, një nga emrat më të respektuar që la gjurmë të pashlyeshme në median dhe publicistikën shqiptare.
Për dekada me radhë, Muhamedi i shërbeu gazetarisë në media të ndryshme në gjuhën shqipe. Për një periudhë të gjatë ai ishte pjesë e Radio Televizionit të Maqedonisë, ku ushtroi me profesionalizëm detyrat e gazetarit, redaktorit dhe drejtuesit, duke dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e gazetarisë profesionale në gjuhën shqipe dhe në mbrojtjen e interesit publik.
Krahas angazhimit të tij në gazetari, Nijazi Muhamedi ishte edhe publicist e autor i disa veprave, në të cilat trajtoi tema politike, historike dhe shoqërore që lidhen me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka pikëlluar kolegët, miqtë dhe opinionin publik, të cilët do ta kujtojnë si një gazetar me integritet, profesionalizëm dhe përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj fjalës së lirë.

