MaqedoniTop Lajme

Kategoritë C dhe D për 1400 euro pa provim!

Shpërndaje

Kontrolli i Brendshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme po heton rastin në të cilin të punësuar në shërbimet administrative të policisë, në mënyrë të paligjshme u kanë shtuar kategori në patentë-shoferë personave që asnjëherë nuk kanë dhënë provim për drejtimin e kamionit apo autobusit, përcjell TV21. Sipas informacioneve të publikuara në disa media, për shtimin e paligjshëm të kategorisë C ose D janë paguar nga 1.400 euro.

Me rastin është njoftuar një prokuror nga Prokuroria e Shkupit, por, sipas informacioneve, procedura për momentin zhvillohet në kuadër të MPB-së. Përmes saj duhet të përcaktohet se sa të punësuar në shërbimet administrative kanë qenë të përfshirë në shtimin e paligjshëm të kategorive, si dhe sa patentë-shoferë janë lëshuar në këtë mënyrë. Personat që janë objekt i hetimit janë kapur në flagrancë, përkatësisht gjatë procesit të shtimit të kategorive që drejtuesit e automjeteve nuk i kishin më parë.