MaqedoniTop Lajme

Ali Ahmeti: Demokracia e vërtetë i jep dinjitet diversitetit

Shpërndaje

Ali Ahmeti, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, ka theksuar rëndësinë e lirisë, pluralizmit dhe barazisë si vlera themelore të një shoqërie demokratike, përcjell TV21 Në një shkrim, kreu i BDI-së ka thënë se demokracia duhet të jetë kulturë e shoqërisë dhe standard për institucionet dhe proceset politike. Ahmeti ka vlerësuar se në një shoqëri të ndërtuar mbi diversitetin, demokracia duhet të krijojë hapësirë për dallimet dhe të forcojë bashkëjetesën.

“Sot shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, një ditë që na kujton vlerën e lirisë, pluralizmit dhe përgjegjësisë që kemi si shoqëri. Demokracia është, mbi të gjitha, testi më i lartë i pjekurisë politike. Ajo është më shumë se një arkitekturë institucionesh dhe më shumë se një proces elektoral. Është besëlidhja e heshtur mes shtetit dhe qytetarit se liria nuk negociohet, dinjiteti nuk relativizohet dhe barazia nuk mbetet vetëm një parim në letër. Në një shoqëri të ndërtuar mbi diversitetin, demokracia e vërtetë nuk kërkon uniformitet. Ajo krijon hapësirë për dallimet, i jep pluralizmit dinjitet institucional dhe e shndërron bashkëjetesën nga një nevojë historike në një vlerë shtetformuese. Demokracia duhet të jetë kulturë e shoqërisë dhe standard i çdo institucioni, çdo strukture politike, çdo gare dhe çdo vendimmarrjeje. Paqja e qëndrueshme ndërtohet mbi demokraci, ndërsa demokracia e qëndrueshme ndërtohet mbi respektin, dialogun dhe barazinë. Përballë sfidave të kohës dhe ndryshimeve që prekin rajonin dhe Evropën, përgjigjja jonë duhet të jetë më shumë demokraci, më shumë dialog dhe më shumë maturi në vendimmarrje. Ky është standardi që i duhet vendit tonë, si themel i një të ardhmeje të përbashkët, më të drejtë, më të qëndrueshme dhe më evropiane. Ky është drejtimi që na afron me Evropën”, ka shkruar Ahmeti.