OVL-UÇK kundërshton aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit: “Goditje ndaj luftës çlirimtare”
OVL-UÇK ka reaguar pas aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke e kundërshtuar kategorikisht vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Në reagimin e saj, organizata e cilëson aktgjykimin si goditje ndaj luftës së UÇK-së dhe ndaj sakrificës së familjeve që humbën bijtë dhe bijat e tyre gjatë luftës për çlirimin e Kosovës. OVL-UÇK thekson se UÇK-ja ishte një forcë e organizuar çlirimtare dhe jo një ndërmarrje kriminale, ndërsa procesin gjyqësor e konsideron politik dhe shpreh bindjen se vendimi nuk mund ta ndryshojë, sipas saj, të vërtetën historike mbi luftën çlirimtare të Kosovës.
Në reagimin e saj, OVL-UÇK shprehet gjithashtu se vendimi përbën, sipas vlerësimit të organizatës, një goditje ndaj sakrificës së popullit të Kosovës dhe ndaj kontributit të UÇK-së në krijimin e shtetësisë së Kosovës.
Reagimi i plotë:
Hedhim poshtë kategorikisht dënimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ky aktgjykim godet luftën e drejtë çlirimtare të UÇK-së dhe lëndon çdo familje që dha bijtë dhe bijat për lirinë e Kosovës.
UÇK-ja nuk ishte kurrë ndërmarrje kriminale. Ishte rezistenca e organizuar e një populli përballë pushtimit, dëbimit dhe masakrës, e vetmja përgjigje që i kishte mbetur një kombi të dënuar me zhdukje. Ajo sakrificë ndërtoi shtetësinë, sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Asnjë institucion, kudo qoftë, nuk ka autoritetin moral ta nxjerrë në gjyq këtë të vërtetë.
Asnjë vendim nuk mund ta rishkruajë luftën tonë çlirimtare apo të njollosë ata që luftuan për liri. E vërteta e UÇK-së nuk është çështje interpretimi gjyqësor, është historia e jetuar e një populli që e fitoi shtetin me gjak.
Që në fillim e kemi quajtur politike këtë gjykatë dhe procesi na dha të drejtë. Është turp për drejtësinë ndërkombëtare, një njollë që do të mbetet gjatë dhe që tregon se si është trajtuar lufta jonë çlirimtare dhe sakrifica e popullit tonë.

