RajoniTop Lajme

Rama në OKB: Kur një gënjeshtër shumëfishohet miliarda herë, e vërteta varroset

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama e vuri theksin te rreziku që, sipas tij, paraqet manipulimi i informacionit dhe kontrolli i shpërndarjes së tij për demokracinë dhe lirinë e shprehjes.

Në fjalën e tij, Rama tha se qytetarët mund të jetojnë në të njëjtin vend, të marrin pjesë në të njëjtat zgjedhje, por të formojnë bindje mbi baza krejtësisht të ndryshme informacioni.

“Dy fqinj mund të jetojnë në të njëjtën rrugë, të votojnë në të njëjtat palë zgjedhje dhe të votojnë brenda realiteteve kryekëput të ndryshme. Kur kjo ndodh, demokracia nuk humbet thjeshtë një debat, por terrenin e përbashkët në të cilin bëhet i mundur debati”, u shpreh Rama.

Sipas tij, koncepti i sovranitetit nuk mund të kufizohet vetëm te mbrojtja e territorit, por duhet të përfshijë edhe mbrojtjen e hapësirës ku qytetarët krijojnë opinionet e tyre.

“Sovraniteti nuk grryhet më në kufij. Sot në Europë ne po vrapojmë si të marrë për të hedhur gjithmonë e më shumë para që nuk i kemi për të mbrojtur tokat dhe qiejt tanë nga një luftë e mundshme në të ardhmen”, tha kryeministri.

Rama argumentoi se mbrojtja e demokracisë në kohën e sotme duhet të përfshijë edhe krijimin e kushteve që qytetarët të jenë të lirë të formojnë opinionin e tyre, pa u përballur me manipulime të fshehta të informacionit.

“Por në shekullin që po jetojmë, kjo duhet të nënkuptojë krijimin e një shoqërie të lirë për të mbrojtur kushtet në të cilat qytetarët e tyre formojnë opinionin e vet. Pa këtë, sovraniteti mbi tokën dhe qiejt bëhet një iluzion”, u shpreh Rama.

Duke folur për rrjetet e shpërndarjes së informacionit, ai tha se kërcënimi ndaj lirisë së shprehjes nuk lidhet vetëm me atë që thuhet, por edhe me mënyrën se si përmbajtja amplifikohet.

“Sot liria e shprehjes kërcënohet nga përdorja si armë nga fuqia e shpërndarjes. Shpërndarja mund të manipulohet dhe të përdoret në mënyrë kriminale. Kur një gënjeshtër shumëfishohet miliarda herë, e vërteta varroset”, deklaroi kryeministri.

Rama tha se në një realitet të tillë, e drejta për të folur mbetet, por zëri i individit mund të humbasë mes një sasie masive informacioni.

“Qytetari mbetet i lirë të flasë, por në një stuhi që askush nuk mund ta dëgjojë”, tha ai.

Në përfundim, Rama bëri dallimin mes mbrojtjes së lirisë së shprehjes dhe kontrollit të asaj që mendojnë qytetarët, duke argumentuar se ndërhyrja duhet të fokusohet te transparenca e mënyrës së shpërndarjes së informacionit.

“Përgjigja për të folurin e keq mbetet liri fjale, por për amplifikimin e fshehtë duhet të jetë ekspozim. Dhe duhet të bëhet sa më herët.”

“Të mbrosh demokracinë dhe lirinë e secilit komb për të jetuar, s’do të thotë të kontrollosh njerëzit çfarë mendojnë. Nëse ne mbrojmë lirinë e shprehjes, duke e lënë kontrollin e shpërndarjes në terr, është njësoj si të mbrosh derën, por të dorëzosh gjithë dhomën”, përfundoi Rama.