RajoniTop Lajme

Kurti paralajmëron: Raportet për vrasjen e Arlindës do t’i ndaj me publikun

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e tetë të Qeverisë ka folur për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke e cilësuar rastin si pasojë të lëshimeve të institucioneve përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë.

Kurti bëri të ditur se ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme raporte të detajuara për rastin, përfshirë evidencat dhe lëshimet në secilën hallkë institucionale.

Ai theksoi se raportet i pret deri nesër, para orës 18:00, dhe se më pas do t’i ndajë me publikun.

Kryeministri foli edhe për rezultatin e shqiptarëve në zgjedhjet në Serbi, duke e vlerësuar si historik suksesin e Koalicionit Shqiptar, i cili mori 27.670 vota.

Kurti falënderoi subjektet politike shqiptare për bashkimin dhe u shpreh se Qeveria e Kosovës mbetet e gatshme t’i ndihmojë shqiptarët në Serbi.

Adresimi i plotë:

Adresimi im i plotë në mbledhjen e tetë të Qeverisë së Republikës së Kosovës:

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,

Të nderuar punonjës të kabinetit qeveritar dhe të mediave,

Të nderuar gazetarë,

Të dashur qytetarë,

Mirë se po takohemi në mbledhjen e tetë të Qeverisë së Republikës së Kosovës,

Sot bëhen tre ditë nga vrasja mizore e Arlinda Zekaj në Vitomiricë të Pejës. Arlinda u vra para shtëpisë nga kunati, e mbrëmë, pak para mesnatës është arrestuar edhe dorasi që ishte në arrati.

Secila vrasje është vepër e rëndë, por ajo rëndohet edhe më shumë kur qartazi shihet se ka pasur një zinxhir sistemor lëshimesh nga institucionet, të cilat janë përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë. Një vrasje me të tilla paralajmërime që nuk merrnin përgjigje, në fakt, nuk kishte se si të përfundonte ndryshe. Dhe, kjo e bën edhe më të pafalshme situatën.

Menjëherë pas informacioneve të para, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla Schwarz, si Koordinatore Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, ka thirrur mbledhjen urgjente me të gjitha institucionet relevante të sigurisë e të drejtësisë, qendrore e lokale, për të marrë informacionet e sakta mbi këtë ngjarje. Ndërkaq, si Kryeministër, kam kërkuar nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Brendshme një raport të detajuar me evidencat dhe lëshimet në secilat hallka të institucioneve. Tash kur po flasim kanë mbetur edhe 34 orë për hartimin dhe dorëzimin e atij raporti, të cilin sigurisht që do ta ndaj me publikun. Nesër mbrëma para orës 18:00 i pres raportet.

Të dashur qytetarë,

Drejtësia nuk ka lindur vetvetiu. Ajo është shfaqur si domosdoshmëri e kundërvënies ndaj padrejtësisë, që ka lindur në botën e pabarazisë.

Drejtësia është garancia që i forti nuk do ta cenojë të dobëtin vetëm pse ata janë të tillë. Por, në Kosovën tonë dhe ndoshta jo vetëm në Kosovë, drejtësia fatkeqësisht nuk është në mbrojtje të të dobëtit, përkundrazi drejtësia shpesh ka dalë në krahun e të fortit. Drejtësia në Kosovë vazhdon të jetë disi e shtrembër. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, kur peshoren e Justicias, Zonjës së Drejtësisë, e kanë çaluar kah i fuqishmi dhe i pasuri, ja kanë zbuluar njërin sy për të parë se kah të peshojë drejtësia, e natyrisht shpata mandej nuk ka për t’i rënë asnjëherë krimit e kriminelëve, por do të bije gjithnjë mbi të dobëtën, të varfrin dhe të pafuqishmin.

Republika e Kosovës nuk ka më nevojë për asnjë provë që të konstatojë se është urgjencë kombëtare drejtimi i drejtësisë.

I nderuar kabinet qeveritar,

Të dielën që lamë pas u mbajtën zgjedhjet në Serbi. Në këto zgjedhje pati disa arritje historike. Koalicioni Shqiptar mori 27.670 vota! Ky është rezultati më i lartë i shqiptarëve që nga viti 2000. Plot 1.233 vota më shumë se sa në vitin 2020, kur u patën fituar tri mandate. Me rritjen prej 35% të koeficientëve zgjedhorë për pakicat kombëtare, ky rezultat ka ekuivalentin përllogaritës të 37.354 votave. Shqiptarët, janë pakica e katërt për nga popullsia në Serbi, por janë renditur të dytët për nga votat dhe të parët për nga mandatet, së bashku me hungarezët, ndër listat e pakicave kombëtare.

Në anën tjetër, Lista Studentore doli e para, koalicioni i Vuçiqit e humbi shumicën parlamentare, ndërsa lista e Daçiqit mbeti jashtë Kuvendit. Një çerek shekulli pas humbjes së Millosheviqit dhe Sheshelit në fillim të shekullit XXI, edhe pasardhësit e tyre politikë, Vuçiqi dhe Daçiqi, humbën.

Ky rezultat kaq i mirë për shqiptarët vjen natyrisht si rezultat i bashkimit të të gjitha forcave në një, për çka e falënderoj secilin subjekt politik atje për vullnetin e tyre, që përkundër dallimeve të bashkohen për një kauzë tejet të rëndësishme, siç është jeta më e mirë, më e drejtë dhe më e dinjitetshme e shqiptarëve. Bashkimi, si kapitull i ri i përgjegjësisë së përbashkët, duhet të vazhdojë me mbrojtje të fuqishme të të drejtave, me kërkesën për barazi, kundër diskriminimit e shfrytëzimit dhe në përpjekjen për jetë përparimtare në vendlindje.

Urime për suksesin, Kosova, Qeveria jonë është e hapur gjithmonë për ndihmë e për çfarëdo nevoje, që shqiptarët kanë atje.

Faleminderit, e tash po vazhdojmë me rendin e ditës.