Spitali Klinik i Tetovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen tragjike nga jeta të Dr. Maltina Feratit
Spitali Klinik i Tetovës shpreh dhimbjen dhe pikëllimin e thellë për ndarjen tragjike nga jeta të koleges sonë, Dr. Maltina Ferati, si dhe solidarizohet me familjen e saj në këto momente të rënda. Në emër të institucionit dhe të gjithë stafit, familjes, të afërmve dhe miqve u përcjellim ngushëllimet tona më të sinqerta, duke ndarë me ta dhimbjen për këtë humbje të madhe e të parakohshme.
Me këtë rast, institucioni i kushton një homazh kujtimit të saj, duke vlerësuar kontributin profesional, përkushtimin dhe humanizmin që ajo dëshmoi gjatë gjithë angazhimit të saj në shërbim të pacientëve dhe qytetarëve.
LETËR NGUSHËLLIMI
Me dhimbje të thellë dhe pikëllim të madh morëm lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të koleges sonë të dashur, Dr. Maltina Ferati, e cila humbi jetën në aksidentin tragjik.
Dr. Maltina Ferati ishte pjesë e rëndësishme e familjes sonë institucionale, ku me profesionalizmin, përkushtimin dhe përgjegjësinë e saj shërbeu me dinjitet në kujdesin shëndetësor ndaj qytetarëve dhe pacientëve. Në detyrën e saj si kryeshefe e Laboratorisë, ajo dëshmoi vazhdimisht seriozitet, kompetencë dhe përkushtim ndaj punës.
Ajo do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithë kolegëve dhe bashkëpunëtorëve tanë, jo vetëm për profesionalizmin e saj, por edhe për pozitivitetin, buzëqeshjen, mirësinë dhe gatishmërinë e vazhdueshme për t’u shërbyer të tjerëve.
Ikja e saj e parakohshme lë një boshllëk të madh në mesin tonë. Kontributi i saj profesional dhe kujtimet e bukura që la pas do të mbeten gjithmonë pjesë e historisë së institucionit tonë.
Në këto momente të rënda, në emër të Spitalit Klinik të Tetovës dhe të gjithë stafit, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen, të afërmit, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën dhe e çmuan.
U prehtë në paqe!
Spitali Klinik i Tetovës

